GJKKO çon për gjykim dosjen e dytë ndaj Jorgo Goros, akuzohet për tjetërsim toke 1 milion euro!

Gjykata e Posaçme ka vendosur kalimin për gjykim të dosjes së dytë ndaj ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, i akuzuar për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim. Kërkesa e prokurorit të SPAK, Elvin Gokaj, u pranua nga trupa gjykuese, bashkë me kërkesën e mbrojtjes për gjykim të shkurtuar. Seanca gjyqësore në themel është caktuar më 20 maj.

Kallëzimi ndaj Goros është bërë nga Fredi Beleri, i cili pretendon se në vitin 2016 Goro i ka dhuruar në mënyrë të paligjshme pasardhësit të tij të komanduar, Arqile Bollano, një sipërfaqe prej 4263 m² tokë në zonat “Vllatorja” dhe “Moskato”, me një vlerë totale rreth 1 milion euro.

Të pandehur në këtë çështje janë edhe Vasillaq Strakosha dhe Jerasimo Bashi, ish-drejtorë të Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashkinë Himarë. Për Bashin, çështja është ndarë pasi ende nuk është ekzekutuar masa e sigurisë.

Hetimet për këtë dosje nisën fillimisht nga Prokuroria e Vlorës nën drejtimin e Arjan Xhaferajt dhe më pas kaluan në kompetencën e SPAK.

Kujtojmë se vetëm një muaj më parë, Goro u dënua me 3 vite e 1 muaj burg dhe 5 vite ndalim për ushtrim funksionesh publike, për shpërdorim detyre dhe mosdeklarim pasurie në një çështje tjetër. Gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e mbi 10 mijë m² tokë të përfituar nga Artan Gaçi, i cili kishte planifikuar ndërtim me statusin “investitor strategjik”.

Seanca për kundërshtimin e këtij vendimi nga Gaçi u shty këtë të mërkurë për shkak të mungesës së prokurorit të çështjes./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne