Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e 30 deputetëve të opozitës për imunitetin e Sali Berishës

Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë në shqyrtim kërkesën e deputetëve të opozitës për imunitetin e Sali Berishës. Deputetët e Partisë Demokratike kërkuan të shpallin antikushtetuese masat kufizuese të SPAK ndaj liderit demokrat Sali Berisha.

“Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi mos kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, ndaj pretendimet e kërkuesit dhe kërkesa për pezullimin e masave të sigurimit nuk mund të shqyrtohen në themelin e tyre”, thuhet midis të tjerash në vendim.

Deputetët e opozitës pretenduan se masat e marra “detyrim paraqitje” dhe “pengim për të dalë nga vendi”, janë antikushtetuese, pasi SPAK nuk ka marrë më parë autorizim nga Kuvendi.

Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, demokratët kërkonin të zgjidhnin konfliktin e kompetencave ligjore mes SPAK dhe Kuvendit, “për sa i përket heqjes ose kufizimit të lirisë ndaj një Deputeti, në të gjitha format, kur këto kufizime të lirisë kryhen nga pushteti gjyqësor pa pyetur, pa kërkuar e pa marrë paraprakisht autorizimin e shprehur të Kuvendit”.

Po ashtu, në padi thuhet se duhet të shpallen të papajtueshme me kushtetutën masat e marra nga SPAK për Berishën, në lidhje me privatizimin e kompleksit “Partizani”, pasi nuk ishte marrë më herët autorizimi nga Kuvendi. Deputetët demokratë kërkuan gjithashtu pezullimin e të gjitha masave të marra ndaj Berishës, derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese. Prokuroria e Posaçme i kërkoi më 12 dhjetor, Kuvendit autorizimin për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Sali Berishës në atë të “arrestit në shtëpi”, pasi ish-kryeministri nuk zbatoi vendimin e detyrimit me paraqitje./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne