Gjysma e Tiranës gati 2 orë pa drita në temperatura të ulëta, kaos në QSUT

Energjia elektrike është kthyer pas gati dy orësh në shumicën e zonave, por mungesa e saj ka futur në kaos Urgjencën e QSUT. Kjo situatë ka shkaktuar tension dhe frikë tek pacientët, por dhe familjaret, veçanërisht në shërbimin e reanimacionit…

Gati gjysma e Tiranës ka qëndruar pa energjike elektrike për gati 2 orë. Pas një problemi në linjën 110kV të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), u shkaktua ndërprerja e energjisë në disa nënstacione që furnizojnë zonat e Ali Demit, Freskut, ish-Uzinës së Autotraktorëve, Brrylit, Don Boskos dhe Astirit. Energjia u kthye vetëm  tani në shumë zona, teksa në disa të tjera ka ende probleme.

Kjo situatë ka krijuar kaos, ku përveçse shumë familje janë të detyruar të qëndrojnë në të ftohtë me temperatura të ulëta dhe pa energji elektrike, është rrezikuar jeta e shumë pacientëve në Qendrën Spitalore Universitare.

Ata kanë dalë nga dhomat e kujdesit intensiv dhe janë nxjerrë me urgjencë nga reanimacioni, e më pas janë transferuar nëpër korridoret e spitalit. Mësohet se gjeneratori nuk ka arritur të ndizet gjë që ka shkaktuar tension dhe frikë për jetën e pacienteve.

Kjo situatë e rëndë që ka përfshirë edhe Reanimacionin Qendror të QSUT-së, ka vënë në rrezik funksionimin e repartit më kritik të spitalit më të madh në vend.

Sipas denoncimeve nga qytetarë dhe familjarë të pacientëve, ikja e dritave ka krijuar kaos dhe pasiguri totale, duke alarmuar të afërmit e të shtruarve në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ky rast ngre pikëpyetje serioze lidhur me funksionimin e gjeneratorëve dhe sistemit të emergjencës, në një repart ku jeta e pacientëve varet drejtpërdrejt nga aparaturat elektrike dhe furnizimi i pandërprerë me energji.
Deri në këto momente, drejtoria e QSUT-së nuk ka dhënë asnjë reagim apo sqarim zyrtar për shkaqet e këtij defekti teknik, madje as për masat e marra për rikthimin e normalitetit dhe garantimin e sigurisë së pacientëve./pamfleti

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne