Drejtori i Policisë Rrugore Altin Qato është pezulluar mbrëmjen e sotme nga detyra nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku.
Qato ishte protagonist i një videoje në të cilën ai shfaqej duke goditur me shpullë një të ri në aksin Thumanë-Kashar.
Sipas policisë personat që shfaqen në video ishin duke udhëtuar me mjetin e tyre në drejtim të Tiranës, duke kryer manovra në rrugë dhe kundërshtuar e ofenduar punonjësit të Policisë Rrugore.
Në njoftimin e autoriteteve thuhet se edhe pas këshillimit nga ana e punonjësve të Policisë Rrugore, këta shtetas kanë vijuar t’i bien pa pushim sistemit zanor të automjetit, duke shkaktuar shqetësim te përdoruesit e tjerë të rrugës dhe njëherazi irritim të tyre.
Pikërisht në këtë moment mendohet se Qato, i cili ishte prezent nuk ka arritur të ruajë qetësinë dhe ka goditur një prej tyre.
Sakaq, shtetasit E. Q. 36 vjeç, dhe Gj.K, 36 vjeç janë shoqëruar në ambientet e Policisë dhe në përfundim të veprimeve janë proceduar penalisht për “Mosbindjes ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”.