“Grekët qipriotë nuk e ‘përtypin’ dot barazinë politike me turqit qipriotë”

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Turke të Qipros Veriore (RTQV), Kudret Ëzersaj (Özersay) tha se grekët qipriotë nuk e ‘përtypin’ dot barazinë politike të turqve qipriotë dhe nuk janë ende gati për të ndarë qeverisjen dhe pasuritë e ishullit.

Sipas një lajmi të Agjencisë Turke të Qipros (ATK), Ëzersaj në fjalën drejtuar Parlamentit vlerësoi edhe procesin lidhur me problemin e Qipros.

Duke kujtuar se në periudhën kur ai kishte qenë negociator në diskutime ishin parashtruar gjashtë apo shtatë ide të ndryshme, dhe se në këtë proces pala turke kishte punuar bashkë me specialistin e OKB-së, Zëvendëskryeministri Ëzersaj tha: “Ne e kemi shpjeguar që atëherë se ideja e kryeministrit me rotacion nuk i shërben barazisë politike. Turqit qipriotë mund të jenë në krye të qeverisë, por panorama e shtetit grekoqipriot do të vazhdojë të jetë prezent në mënyrë të pashmangshme. Kjo është shumë e qartë po të kemi parasysh përvojën politike të turqve qipriotë, historinë dhe realitetin e Republikës së 1960-s”.

Ëzersaj deklaroi se midis palëve në ishull sot nuk ka asnjë bazë të përbashkët dhe shtoi: “Grekët qipriotë nuk e ‘përtypin’ dot barazinë politike të turqve qipriotë, ata përpiqen ta zbehin atë; duket shumë qartë që ata nuk janë ende gati për të ndarë qeverisjen dhe pasuritë e ishullit. Por ne nuk mund ta shpërfillim realitetin gjysmëshekullor”.

Zëvendëskryeministri Ëzersay u bëri thirrje edhe përfaqësuesve të OKB-së për të qenë të guximshëm, kurse në lidhje me raportin që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres do ti paraqesë Këshillit të Sigurimit të OKB-së bëri këtë vlerësim:

“Të vërtetat ata duhet ti thonë me guxim tani dhe jo pas dorëzimit të mandatit (mbarimit të misionit) apo daljes në pension Nëse ky raport nuk do të miratohet për shkak të balancave në Këshillin e Sigurimit, le të mos miratohet. Edhe raporti i vitit 2004 nuk u miratua, por kjo nuk e ndryshoi realitetin”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne