Greqia në zjarr, protestuesit kërkojnë drejtësi për 57 të rinjtë që humbën jetën para 2 vjetësh

Zjarr e tym, kështu paraqitet situata në vendin fqinj, Greqi. Qytetarë të shumtë kanë zbarkuar nëpër rrugët e Athinës dhe të Selanikut duke vijuar me protestat e tyre kundër qeverisë greke dhe duke kërkuar drejtësi për të rinjtë që humbën jetën dy vite më parë në aksidentin tragjik në Tempe.

Sipas asaj që mediat vendase raportojnë persona me kapuç dhe të maskuar filluan të hedhin fishekzjarrë dhe të djegin kazanët, ndërsa forcat e policisë iu përgjigjën duke iu hedhur gazlotsjellës.  Referuar informacioneve të bëra me dije nga Newsbomb.gr  efektivët kanë arrestuar dhjetëra protestues, ndërkohë deri më tani nuk ka një shifër të saktë se sa.

Ndërkohë, thuhet se ka dhe disa protestues të cilët kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar me urgjencë në spital.

Pak ditë pas protestave masive të zhvilluar më 28 shkurt, mijëra qytetarë u mblodhën sërish në sheshin Sintagma dhe kërkuan drejtësi për 57 njerëzit që humbën jetën padrejtësisht pasi një tren me mallra u përplas me trenin me të cilin ata po udhëtonin.

Kujtojmë se një tren pasagjerësh plot studentë u përplas me një tren mallrash më 28 shkurt 2023, pranë grykës së Tempit në Greqinë qendrore.

Ngjarja ndodhi kur një tren pasagjerësh që po udhëtonte nga Athina për në Selanik u përplas ballë për ballë me një tren mallrash në afërsi të qytetit Tempi. Aksidenti shkaktoi vdekjen e të paktën 57 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.

Shumë nga viktimat ishin të rinj, përfshirë studentë që ktheheshin në universitet pas një pushimi festiv. Në mesin e të rinjve që humbën jetën në atë ditë të zezë jo vetëm për Greqinë, por dhe vendin tonë, ishin dhe 6 shqiptarë.

Klaudia Lato, Ifigjenia Micka, Erieta Molko, Ioanis Xhiollas, Denis Ruçi dhe Pavlin Bozo janë shqiptarët që humbën jetën nga kjo tragjedi e jashtëzakonshme.

Hetimet zbuluan se aksidenti ndodhi për shkak të një gabimi njerëzor dhe problemeve të thella në sistemin hekurudhor. Përgjegjësia kryesore i ra shefit të stacionit të Larisës, i cili pranoi se kishte drejtuar trenin e pasagjerëve në të njëjtin shinat me trenin e mallrave./NewsBomb

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne