Guterres thirrje SHBA-së për vetëpërmbajte në ndërhyrjen gjatë protestave

“Është e trishtueshme të shikojmë ngjarje të dhunës në vendin tonë pritës dhe në Nju-Jork, seli e OKB-së”, ka thënë Guterres në një postim në rrjetin social “Twitter”.

“Ankesat duhet të dëgjohen, por ato duhet të shprehen në mënyrë paqësore dhe zyrtarët duhet të jenë të vetëpërmbajtur në ndërhyrjen ndaj protestave”, ka apeluar Guterres.

“Të gjithë duhet ta refuzojmë racizmin”, ka theksuar ai.

Shefi i OKB-së ka deklaruar mes të tjerash se liderët nga çdo shtresë e shoqërisë duhet të investojnë në unitetin social kundër pabarazisë dhe diskriminimit.

George Floyd, 46 vjeç, u arrestua më 25 maj nga policia në Mineapolis pasi kishte përdorur një kartëmonedhe false prej 20 dollarësh në një dyqan. Pasi polici Derek Chauvin i kishte vendosur për disa minuta gjurin mbi qafë, Floyd iu përgjërua duke thënë: “Nuk po marr dot frymë!”

Floyd ndërroi jetë në spitalin ku u dërgua nga ekipet shëndetësore që mbërritën në vendngjarje, ndërkohë që pamjet e regjistruara me celularë nga qytetarët kalimtarë në rrugë shkaktuan reagime të mëdha në rrjetet sociale.

Pamjet ndezën sërish debatin e dhunës policore kundrejt njerëzve me ngjyrë në SHBA dhe si rrjedhojë u organizuan protesta në shumë qytete të vendit, kryesisht në Mineapolis.

Protestat për Floyd vazhdojnë prej më shumë se një jave, ndërsa të paktën 40 qytete, përfshirë kryeqytetin Uashington dhe Nju-Jorkun, e filluan javën me ndalimqarkullimi gjatë natës.

Në rreth 25 qytete është mobilizur Garda Kombëtare për të mbështetur policinë dhe për të marrë nën kontroll demonstratat, të cilat hera-herës marrin karakter të dhunshëm e vandal. /trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne