Nga Kliti Kote
Këto ditë jam mbingarkuar nga një ndjenjë mllefi dhe pështirizmi nga hipokrizia e shqiptarëve dhe kryesisht ”V.I.P-ave” tanë në lidhje me ngjarjen te Shkolla ”Fan Noli”, ku edhe humbi jetën një djalosh 14-vjeçar. Më vinte për të vjelle kur shikoja dhe lexoja reagimet e Fevziut me shokë dhe superstarëve të tjerë të ekraneve shqiptare, që qanin, përloteshin dhe thurrnin elegji, a thua ishte femija i tyre dhe po ju dhimbte shpirti deri në rrëzë.
Sigurisht që pështirizmi im vjen pasi e gjithë kjo tragjikomedi mediatike mua më duket veçse teater hipokrit. Ky rast nuk është i pari në Shqipëri në këto 10-20 vitet e fundit. Ka pasur me qindra raste te tilla dhe çfarë kanë bërë këta njerëz me kaq influencë? – Asgje! Eshtë propaganduar policia nëpër shkolla, siguria e madhe e rritur nëpër dyert e shkollave dhe ne fund asgjë, thjeshtë propagandë.
Por ajo që më bën më shumë përshtypje është që këta njerëz me kaq influencë dhe kaq shumë ndjekës nuk bëjnë asgjë veç shtirjes dhe aktrimit. Në të tilla raste shteti duhet të bjeri. Në të tilla raste këta njerëz duhet ta ngrenë popullin në këmbë nëse vërtetë ju dhemb shpirti.
Ku ishin këta ”V.I.P-A” kur dy njerëz te pafajshëm humbën jetën kot së koti vetëm pse po kalonin në një nga rrugët ku bandat e Shkodrës kishin zgjedhur të bënin luftë në mes të ditës me njëri-tjetrin? A e kuptoni që jeta e njerëzve të pafajshëm në këtë vend është kthyer në letër higjenike? Të keqen e Siçilisë!
Vetëm për rastin në Shkodër, e gjithë Shqipëria duhet të ishte sot në këmbë dhe t’i ”vinte flakën” këtij shteti të rrënuar dhe te kapur nga bandat dhe krimi në çdo skaj te tij. Në vend të atyre njerëzve të pafajshëm mund të ishte kushdo nga ne apo edhe mund të jetë në një të ardhme të afërt. Kjo është arsyeja pse ne duhet të tregonim forcën tonë sot dhe duhet të bashkoheshim pa dallime dhe ngjyrime politike për një kauzë të madhe e cila është kauza e jetës.
Epo mesa shoh këtu ka marrë fund çdo gjë, këtu ka vetëm pazare nuk ka më qëllime. Shqiptarët janë çmendur dhe Shqipëria me duket si një spital gjigand psikiatrik, nga Vermoshi deri në Konispol. Kjo përkthehet fare qartë edhe në rrjetet sociale, në TikTok, në intervistat që ju bëhen njerëzve rrugëve. Këtu njerezit po kalojnë të gjitha nivelet e çmendurise, çdo ditë e më shumë. Sepse në vendin tim apo në vendin tënd një i çmendur, të gjithë i çmend!
Hipokrizia më e madhe e këtyre ”mbetjeve mediatike” është që qajnë për një fëmije që u therr nga një moshatari i tij për muhabete adoleshentësh. Hipokrizi dhe përdorim masiv i figurës së një fëmije të vdekur për përfitime personale te këtyre ”monstrave mediatike”. Ku janë këta ”monstra mediatike” kur fëmijë të moshës së këtij djali apo edhe foshnja të vegjël të pafajshëm vriten, priten dhe digjen per së gjalli në Palestinë, Gaza apo Liban? A nuk janë njësoj fëmijë të gjithë? Ku jeni o ”monstra” pse nuk flisni? Pse nuk e dënoni gjenocidin më të egër njerëzor? Pse tregoheni racistë dhe bëni ndasi feje, rrace apo kombi? Pse nuk bëni postime kaq të dhimbshme me elegji dhe të qara njësoj si për Martinin 14-vjecar ashtu edhe për fëmijët palestinezë? Ata nuk kanë shpirt, nuk kanë prindër, nuk janë njerëz? Sot është edhe dita ndërkombëtare e fëmijëve, pse nuk flisni?
E pra ju jeni hipokritë, ju shqiptarët e mi keni dështuar, mediat kanë dështuar, shteti ka dështuar dhe gjithçka tjetër ka dështuar në këtë vend. Ky vend është kthyer tamam si në filmin e Mel Gibson ”Get The Gringo”. Eshtë kthyer në një hale të madhe kusaresh dhe banditësh në mes të Europës. Turp t’ju vije, ju njerëz të mediave, të shitur dhe të blerë, ju politikanë, ju policë, ju gjyqtarë dhe ju te tjerë të çmendur që vraponi pas pazareve dhe jo qëllimeve. Mua sot me vjen turp qe jam shqiptar, do të doja të isha gjithçka dhe vetëm shqiptar jo. Ju po e vdisni këtë vend dhe ju po e vdisni për së vdekuri djalin 14-vjecar Martin Cani, me hipokrizinë, intrigat dhe çmendurine tuaj. Turp!