Inceneratori i Tiranës/ SPAK arrin deri tek 120 mijë eurot e Alqi Bllakos

Njoftimi për vjedhjen e Alqi Bllakos, shuma e papërfillshme nga 128 milion gjithsej.

Kur e pranuan në gjirin e partisë, socialistët i bënë Alqi Bllakos një ofertë për t’u patur zili; një vend të sigurtë në listën e kandidatëve të Tiranës. Jo më kot, ai braktisi Ilir Metën në presidencë dhe iu bashkua shokëve socialistë për fushatën e vitit 2021. Dhuratën që i bënë Alqi Bllakos, në PS e justifikuan me nevojën për “gjak të ri”, që kishte partia.

Ra në sy gjatë fushatës, vëmëndja e veçantë që i kushtoi Erjon Veliaj. Kryebashkiaku i bëri Bllakos një trajtim preferencial, pasi shkonte personalisht në takimet e tij, për ta ndihmuar në arritjen e një rezultati sa më të mirë në njësinë nr.1 të Tiranës, duke i ofruar kohë televizive dhe mbështetjen e administratës së bashkisë, tepër të nevojshme në këto raste.

Në shtator të 2021, Bllako, nga një burokrat i shkathët i zyrave të shtetit e pa veten përfaqësues të popullit në kuvendin e Shqipërisë. Vetëm se jo çdo gjë e mirë, vjen për mirë.

Pozicioni i deputetit, mish i pranueshëm për topat e SPAK

Po ta shohësh nga 3 vite distancë promovimi që iu bë Bllakos, nga sekretar i Lefter Kokës në deputet i Partisë Socialiste në Tiranë, kupton se ajo ka qenë shkatërruese për të.

Kur dyshja Rama-Veliaj e joshi me postin e deputetit, emri i Bllakos dilte në dosjet e SPAK si një ndër të dyshuarit e hetimeve për inceneratorin e Elbasanit, Fierit dhe të Tiranës. Vetëm se në realitet, pozicioni i tij nuk është politik dhe as drejtues në vjedhjen e inceneratorëve.

Si sekretar i ish-ministrit të mjedisit Lefter Koka, ai ka zbatuar porositë e Kokës duke “kopsitur” dokumentat, për të cilin shefat e mëdhenj kishin rënë dakort më parë.

Edhe nga shuma për të cilën e akuzon SPAK, Bllako del të jetë një lojtar periferik i grabitjes së madhe.

Dumani ka vështirësi me zbulimin e “krimeve intelektuale”

Bllako akuzohet se ka vjedhur 120 mijë euro, kur bindi Klodian Zoton të blejë një pajisje në kompaninë e babait të tij në Ersekë. Ai fajësohet edhe për rrogën që mori një punonjës i Klodian Zotos, i quajtur Vladimir Bezhani i cili ndihmoi për hartimin e dokumentave të tenderit të inceneratorit.

Gjithsej bëhet fjalë për rreth 200 mijë euro. Shuma është e papërfillshme, kur e krahason me babëzinë e kokave të vërteta të inceneratorit të Tiranës, që është 128 milion euro.

Megjithatë këtë të dielë, prokurorët e SPAK njoftuan se kishte përfunduar hetimet për përfshirjen e Alqi Bllakos për inceneratorin e Tiranës, duke e vendosur atë ndër prioritetet e hetimeve.

Emrat e tjerë në dosjen e inceneratorit të Tiranës

Veçimi i Alqi Bllakos si një ndër të hetuarit e posaçëm në aferën e inceneratorëve nuk paralajmëron asgjë të mirë në ndëshkimin e autorëve të vërtetë të aferës. Sepse krimi me inceneratorin e Tiranës përfshin disa nga pozicionet më të larta në hiarkinë shtetërore.

Në dosje ka emra të tjerë, shumë më të rëndësishëm se Bllako.

Përveç ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, është edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj që ka firmosur financimin e inceneratorit pa pyetur Këshillin Bashkiak. Në dosje përmendet edhe kryeministri Edi Rama dhe sekretari i tij, Ëngjëll Agaçi, që kanë firmosur për bonusin 8% të kompanisë së Klodian Zotos, kur kjo kompani ende nuk ishte krijuar.

Pavarësisht këtyre, njoftimi i sotëm i SPAK tregoi vëmëndjen e veçantë që kërkohet t’i jepet Alqi Bllakos në përfshirjen e tij për inceneratorin e Tiranës.

Bashkë me Lefter Kokën, ndaj tyre janë dhënë dy dënime të tjera për inceneratorët e Elbasanit dhe të Fierit. Mbetet për t’u parë nëse prokurorët do të ndalen tek të njëjtat vija të kuqe edhe për inceneratorin e Tiranës duke ia lënë fajin ish-ministrit dhe sekretarit të tij, që ka vjedhur 120 mijë euro. /Lapsi.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress