Hoxhë Mustafa Tërniqi ka reaguar lidhur me vendimin e autoriteteve shqiptare për shpalljen “non grata” të hoxhës nga Shkupi, Bekir Halimi, duke ngritur pikëpyetje për arsyet e këtij vendimi.
Sipas Tërniqit, deri më tani nuk janë bërë publike detaje konkrete që të shpjegojnë bazën e vendimit, ndërsa thekson se Bekir Halimi njihet për angazhimin e tij në veprimtari fetare, shoqërore dhe patriotike, si dhe për respektin ndaj Bashkësisë Fetare Islame dhe hoxhallarëve tradicionalë e të rinj.
Në reagimin e tij, Tërniqi shprehet se nuk është bërë e njohur ndonjë lidhje e Halimit me organizata të dyshimta apo agjenda të huaja. Për këtë arsye, ai vlerëson se vendimi duhet të rishikohet me paanshmëri dhe drejtësi.
“Do të ishte e drejtë që vendimi ndaj tij të rishikohej me paanshmëri dhe drejtësi, sepse, siç kanë theksuar shumë dijetarë islamë, drejtësia është themeli i suksesit dhe i qëndrueshmërisë së çdo shteti, qoftë ai me shoqëri islame apo jo islame”, shprehet Hoxhë Mustafa Tërniqi në reagimin e tij. Kjo deklaratë vjen pas vendimit të autoriteteve shqiptare për ta shpallur Bekir Halimin “non grata”, vendim për të cilin vetë Halimi ka deklaruar se pret ta verifikojë zyrtarisht dhe ka mohuar të ketë qenë i lidhur me organizata apo veprimtari që cenojnë sigurinë. /gazetaimpakt

















