Tirana humbi këtë mëngjes një qytetar të mrekullueshëm, Shqipëria një artist që do të jetojë përgjithmonë mes nesh përmes këngëve të tij, shokët një mik gojë ëmbël dhe besnik, e ndërsa familja shtyllën më të fortë ku mbështeteshin.
Familja Tafaj ndau mëngjesin e kësaj të marte lajmin e trishtë për vdekjen e politikanit dhe qytetarit model, Arben Tafaj. Kryetari i Shoqatës Tirana humbi jetën tragjikisht pasi u rrëzua aksidentalisht nga shkallët e shtëpisë së tij. Humbja e paparitur e Arbenit, djalit që i kishte të rrallët shokët si vetja, ka lënë pas një boshllëk të madh, jo vetëm te familjarët, por te të gjithë ata që patën fatin ta njohin e të bashkëpunojnë. Demokratë e socialistë janë bërë bashkë në këtë dhimbje të madhe. Në rrjetet e tyre sociale politikanë të djathtë e të majtë kanë reaguar duke u shprehur ngushëllime familjarëve të Arben Tafaj për humbjen e tij e duke treguar mes rreshtave se sa njeri i paqtë e mik i mirë ishte ai.
Disa nga reagimet:
Lulzim Basha: Pikëllues lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të Arben Tafajt, politikan dhe kontributor i palodhur në shërbim të Tiranës, komunitetit dhe traditës së kryeqytetit, që e deshi fort dhe e promovoi me çdo ditë të punës së tij. Në këto momente të vështira, mendimet dhe lutjet e mia shkojnë për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e shumtë. U gjendem pranë në këtë humbje të madhe dhe u them se duhet të ndihen krenarë për kujtimin dhe trashëgiminë që la pas Arbeni. U prehtë në paqe!
Belind Këlliçi: Me hidhërim të thellë mora vesh lajmin për ndarjen para kohe nga jeta të mikut, qytetarit, familjarit, bashkëpunëtorit, politikanit dhe aktivistit të palodhur për Tiranën tonë, z. Arben Tafaj. Arben Tafaj bëri kaq shumë për qytetin, kontribuoi për vlerat më të mira që ne të gjithë aspirojmë e luftojmë për to. Si kryetar i “Shoqatës Tirana”, punoi pa u lodhur për të ruajtur trashëgiminë, shpirtin e qytetit e autenticitetin tiranas. Po gjithnjë duke përkrahur bashkëjetesën dhe frymën e miqësisë me secilin komunitet. Si anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë ai ishte një përfaqësues i palodhur i qytetarëve dhe një derë e hapur për këdo që kishte një shqetësim. Pa Arbenin, Tirana është sot më e varfër, me një referencë që do të na mungojë të gjithëve. Por ai ka lënë pas shumë punë të mira e rezultate dinjitoze, kujtime dhe vlera, siç është dhe dera e madhe Tafaj, nga ai vjen. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë e të afërmit. Qofsh i Parajsës mik i mirë
Mimi Kodheli: Benin e kam pasur shok gjimnazi. Por edhe sikur të mos ishim shokë, ata të klasave më të ulta i mbanin mend shumë mirë nxënësit më të rritur. Shiheshim e takoheshim shpesh rrugëve të Tironës tonë. Më pas u këmbyem edhe rrugëve të politikës. E respektuam gjithmonë njeri tjetrin, respekt të cilin dua ta ndaj me ju miq edhe sot, në ditën e largimit të parakohshëm të tij nga jeta! Pusho në paqe Arben Tafaj!
Erion Veliaj: I hidhëruar për lajmin e ndarjes nga jeta të anëtarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Arben Tafaj, kryetar i shoqatës “Tirana” dhe një nga zërat më të zëshëm për komunitetin tonë, me zemër të madhe e mik i vyer për shumë njerëz që e njohën. ????️ Ikja e Arbenit është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë, por për të gjithë qytetin e Tiranës. Ngushëllime të sinqerta familjes Tafaj dhe të afërmve të tij!
Politikani 63 vjeçar ishte anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, një përfaqësues i palodhur i qytetarëve dhe një derë e hapur për këdo që kishte një shqetësim. Arben Tafaj ishte një intelektual i kryeqytetit dhe kryetar i Shoqatës “Tirana” prej vitit 2001. Ai mbante dhe titullin ndërkombëtar “Ambasador i Paqes” akorduar nga Organizata Ndërkombëtare, “Universal Peace Federation Inter-religious and International Federation for World Peace”./NewsBomb