Hungaria anulon takimin Baerbock-Szijjarto në Budapest

Hungaria ka anuluar takimin mes shefes së diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock dhe atij të diplomacisë hungareze, Peter Szzijjarto, të planifikuar për më 8 korrik në Budapest. Siç raportuan mediat gjermane, Baerbock nuk do të vizitojë Budapestin më 8 korrik.

Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë theksoi se pala hungareze anuloi takimin me ministrin Szijjarto, duke shtuar se pala gjermane është e zhgënjyer nga anulimi.

“Një takim serioz dhe i ndershëm mes dy ministrave të jashtëm do të kishte qenë shumë i rëndësishëm në lidhje me vizitën e papritur dhe të pakoordinuar të kryeministrit Orban në Moskë”, tha ministria gjermane.

Dje, kryeministri hungarez, Viktor Orban, vizitoi Moskën dhe u takua me presidentin rus, Vladimir Putin.

Vizita e kryeministrit Orban në Moskë, e para e tij që nga fillimi i luftës në Ukrainë, u kritikua nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme, Josep Borrell.

Në lidhje me “misionin e paqes” të kryeministrit hungarez në Moskë, Michel tha se “presidenca e radhës e BE-së (Hungaria) nuk ka mandat të angazhohet me Rusinë në emër të BE-së”. Borrell po ashtu deklaroi se Orban nuk përfaqësonte BE-në në asnjë mënyrë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne