HUTBEJA NË ISLAM: FUNKSIONI DHE ROLI I SAJ, NGA MEKKA NË MEDINË

Nga Behar Kaceli

Ç’ ËSHTË HUTBEJA?
Hutbe quhet keshilla, bindja, fjala që mbahet për të zgjuar popullin nga gjumi i harimit dhe i errësirës. Themeli i hutbes është lavdërimi i Zotit të vërtetë. Hutbeja është dy pjesësh, që ndahen me një ndëprerje të lehtë e të shkurtër. Në të dy hutbet lavdërohet Zoti dhe sillet shehadeti dhe salavat.
Në të parën këndohet një ajet dhe jepet këshilla (në gjuhën kombëtare, jo në gjuhë të huaja) dhe kujtohet dhe lavdërohet Zoti. Në të dytën në vend të këshillës, bëhet lutje për gjithë vëllezërit e motrat, për shtetin e për mbretin.
[ Hafiz Ali Korça, “Hutbe e Xhumasë. Ç’është e Xhumaja. Udhëzime metodike për hartimin e hytbes apo fjalimit nga pikpamja gjuhësore, psiko-pedagogjike” Zani i Naltë, nr. 12, Dhjetor 1928, f. 693.]

Hutbeja e parë e Profetit Muhamed (s.a.v.s.) në Mekë.

Kur zbriti fjala e Allahut të Lartësuar: “Dhe paralajmëro fisin tënd më të afërt”(Shu’ara, 214), gjëja e parë që bëri i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) pas zbritjes së këtij ajeti, thirri fisin Benu Hashim. Ata erdhën bashkë me disa nga Benu Abdulmuttalib ibn Abdi Menaf, gjithsej bëheshin dyzet e pesë burra. Ebu Lehebi parapriu në fjalë duke thënë: “Këta janë xhaxhallarët e tu dhe kushërinjtë e tu. Fol dhe lëre idenë e thirrjes (në fe të re)! Ta dish se populli yt nuk ka fuqi përballë gjithë arabëve. Unë jam më i afërti që të ndjek, prandaj mjaftohu me bijtë e babait tënd (fis e familje). Nëse vazhdon me atë që je, do të jetë më e lehtë për ta sesa të ngrihen mbi ty fiset (barqet) e Kurejshëve e t’i ndihmojnë ata arabët. Nuk kam parë askënd që t’i vijë fisit të vet me diçka më të keqe se ajo që ke sjellë ti”. Atëherë i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) heshti dhe nuk foli në atë tubim.
Më pas i thirri për herë të dytë dhe tha: “Lavdërimi i takon Allahut, Atë e falënderoj, tek Ai kërkoj ndihmë, tek Ai besoj dhe tek Ai mbështetem. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Një i vetëm, pa shok”. Pastaj tha: “Pararendësi i fisit (kallauzi) nuk i gënjen të afërmit e tij, pasha Allahun, që nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij, unë jam i Dërguari i Allahut tek ju posaçërisht dhe tek të gjithë njerëzit në përgjithësi. Pasha Allahun do të vdisni ashtu si flini, dhe do të ringjallemi ashtu si zgjoheni. Dhe do të gjykoheni për atë që bëni. Vërtetë, ekziston xhenneti përgjithmonë ose zjarri përgjithmonë”. Atëherë Ebu Talibi i tha: “Ne nuk duam asgjë më shumë se të të ndihmojmë dhe të pranojmë këshillën tënde, aq më shumë të besojmë në fjalën tënde. Këta janë bijtë e babait tënd të tubuar dhe unë jam vetëm një prej tyre, por jam më i shpejti prej tyre për atë që ti do. Prandaj vazhdo e kryej atë që të është urdhëruar. Pasha Allahun, unë gjithmonë do të jem krah teje dhe në mbrojtjen tënde, vetëm se vetja ime nuk më lejon të braktis fenë e Abdulmuttalibit”. Pastaj Ebu Lehebi tha: “Kjo është vërtet një e keqe! Kapeni për duarsh përpara se ta kapintë tjerët”. Ebu Talibi iu përgjigj: “Pasha Allahun, sa të jemi gjallë nuk do ta lejojmë”.
[ Mexhdi M. Shahaui, Hutab er-Resul (s.a.v.s.), El-Mektebe et-Teufikije, f. 5.]

Hutbeja e parë e Profetit Muhamed (s.a.v.s.) në Medinë.
Nga Ebu Seleme transmetohet se predikimi i parë që mbajti i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) në Medinë ishte se ai u ngrit në këmbë mes tyre, lavdëroi Allahun dhe e madhëroi Atë me lëvdata që i përkasin vetëm atij, pastaj tha: “O ju njerëz, përgatituni për veten tuaj! Se, pasha Allahun, patjetër do të bjerë (vdekja) mbi njërin prej jush, pastaj do të lërë pas delet e tij pa bari. Pastaj do t’i thotë atij Zoti i tij, pa pasur përkthyes e as pengesë mes tij dhe Zotit: “A nuk të erdhi i Dërguari im dhe të përcolli mesazhin? A nuk të dhashë pasuri dhe të begatova? Çfarë ke përgatitur për veten tënde?” Pastaj ai do të shohë majtas e djathtas dhe nuk do të vërejë asgjë. Pastaj do të shikojë përpara dhe nuk do të shohë veçse Zjarrin (Xhehenemin). Prandaj, kush të ketë mundësi të mbrojë fytyrën e tij nga Zjarri, qoftë edhe me gjysmën e një hurme, le ta bëjë! E nëse nuk gjen, atëherë me një fjalë të mirë, sepse ajo shpërblehet dhjetëfish deri në shtatëqindfish”. Pastaj tha: “Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju dhe mbi të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.)”.
[ Mexhdi M. Shahaui, Hutab er-Resul (s.a.v.s.), El-Mektebe et-Teufikije, f. 6. ]/gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne