Marrëveshja e armëpushimit e njoftuar nga presidenti amerikan Joe Biden, pas miratimit të qeverive libaneze dhe izraelite hyri në fuqi sot në orën 04:00 me kohën lokale.
Më parë duke njoftuar se armëpushimi do të hyjë në fuqi sot në orën 04:00 me kohën lokale, Biden pati thënë se Forcat e Armatosura Libaneze do të vendosen në kufirin jugor të Libanit brenda 60 ditëve dhe do të sigurojnë kontrollin e rajonit në fjalë.
Më tutje duke vënë në dukje se marrëveshja parashikon çarmatimin e elementëve të Hezbollahut nga rajoni në fjalë dhe kalimin e tyre në veri të lumit Litani, Biden tha se ushtarët izraelitë do të tërhiqen gradualisht nga rajoni brenda një periudhe 60-ditore.
Ai theksoi se gjatë kësaj periudhe asnjë ushtar amerikan nuk do të shërbejë në Liban, duke shtuar se marrëveshja është arritur pas përpjekjeve të gjata diplomatike nën udhëheqjen e SHBA-së dhe Francës.
Presidenti amerikan potencoi se një koalicion ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA-ja dhe Franca do të mbështesë zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit. Biden deklaroi se libanezët që u zhvendosën për shkak të sulmeve izraelite dhe kolonëve hebrenj në veri të Izraelit do t’u mundësohet të kthehen në shtëpitë e tyre.
Sipas pretendimeve që ishin pasqyruar nëpër media para njoftimit të hyrjes në fuqi të armëpushimit, në rajonin që përfshin kufirin Izrael-Liban e deri te lumi Litani prej ku janë tërhequr ushtria izraelite dhe Hezbollahu do të vendosen 5 deri 10 mijë ushtarë libanezë.
Në përputhje me rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), shitjet e armëve në Liban ose prodhimi i armëve brenda Libanit do të mbikëqyren nga qeveria libaneze me qëllim që të parandalohet riarmatimi i këtyre grupeve në Liban.
Gjithashtu, sipas një pretendimi tjetër në media, “SHBA-ja u angazhua për një që nuk ishte në tekstin e marrëveshjes, që i jep të drejtën Izraelit të sulmojë sërish në rast se Hezbollahu do të shkelte marrëveshjen”./AA