“I japin tendera bizneseve të tyre”, PD denoncon skemën “5D” te Ministria e Belinda Ballukut. Kraja: Transferta të dyshimta drejt zyrtarëve të saj. Dosja në SPAK

Anëtari i këshillit kombëtare të PD, Akil Kraja përmes një deklarate ka reaguar në lidhje me skemën 5D, ku sipas tij drejtorët dhe nëpunësit e administratës i japin vetes tender nëpërmjet bizneseve që ata vetë kanë.

Më tej Karja shprehet se Partia Demokratike ka vendosur t’i përcjellë organeve të drejtësisë dhe SPAK një rast të ri të këtij modeli, atë të I.D.K KONSTRUKSION.

Sipas Krajës kjo është një kompani që ka përfituar në vitet e fundit mbi 30 milion euro tenderë publikë, ndërkohë që ka dyshime të arsyeshme se ajo shërbente si një kompani guaskë për transferta të dyshimta drejt familjarëve të pronarëve të saj, drejtues të nivelit më të lartë pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës.

DEKLARATA E PLOTË

Skema 5D e Bashkisë Tiranë, ku drejtorë dhe nëpunës të administratës shtetërore i jepnin vetes tenderë publikë nëpërmjet bizneseve që po vetë zotëronin, është kthyer në model menaxhimi ne qeverinë e keqmenaxhimit.

Një model që ndiqet edhe në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës. Partia Demokratike ka vendosur t’i përcjellë organeve të drejtësisë dhe SPAK një rast të ri të këtij modeli, atë të I.D.K KONSTRUKSION.

Një kompani që ka përfituar në vitet e fundit mbi 30 milion euro tenderë publikë, ndërkohë që ka dyshime të arsyeshme se ajo shërbente si një kompani guackë për transferta të dyshimta drejt familjarëve të pronarëve të saj, drejtues të nivelit më të lartë pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës.

Rikujtojmë se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës është prekur nga fenomeni i drejtorëve me biznese fiktive edhe në rastin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, drejtuesi i të cilit, Evis Berberi, shpallte fitues kompaninë “Net Group” dhe “DAAM”, kompani që zotëroheshin praktikisht nga ai vetë.

Kompania që Partia Demokratike denoncon sot, I.D.K KONSTRUKSION është në pronësi të familjarëve të Administratorit të OSSH, Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Blendian Dalipi. Ai rezulton gjithashtu pronar i kompanisë ABNID, e cila gjatë viteve të fundit, ka përfituar mbi 10 milion euro nën-kontraktime të drejtpërdrejta nga kompania I.D.K KONSTRUKSION.

Përveç lidhjes familjare, dhe këtyre transfertave miliona euroshe nga tendera publikë, IDK dhe ABNID ndanin edhe punonjësit mes tyre. Në një rast, administratori i kompanisë ABNID, në pronësi të Drejtorit të OSSH, duket se ka punuar si një punëtor i thjeshtë krahu për kompaninë I.D.K KONSTRUKSION.

Kjo është qartazi një rast tjetër i virusit 5D të Bashkisë Tiranë apo Net Group i ARRSH. Ky model i pahasur më parë në këto 33 vite tranzicion, duhet të marrë fund. Një model sipas të cilit, Drejtorët e administratës publike janë kthyer në pronarë biznesesh fiktive të cilët kanë si fokus jo mbrojtjen e taksapagueseve shqiptarë, nëpërmjet zhvillimit të procedurave të tenderimit kompetitive e të drejta, por kanë si qëllim kryesor transferimin e parave publike në llogaritë e tyre personale.

Ky model është anti-biznes, është anti-konkurrencë dhe nuk është thjeshtë korrupsion, është shumë më shumë. Por është edhe një sfidë e radhës për organet e drejtësisë së re për të treguar paanshmëri dhe efikasitetin e kërkuar në parandalimin e abuzimeve të kësaj shkalle me taksat e qytetarëve shqiptarë./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress