Si Celibashi vijon tenderët fiktivë edhe me kompani nën masë sigurie…
Megjithëse ka dy dosje hetimore në SPAK, për korrupsion dhe vjedhje të fondeve publike, nëpërmjet tenderëve me vlera financiare të dyfishuara, me dokumente të falsifikuara dhe pa garë, Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, nuk po procedohet penalisht.
Paprekshmëria e ka nxitur Celibashin të vazhdojë batërdinë me tenderët e KQZ-së, edhe për shërbime që janë financuar fiktivisht dy ose tre herë; madje duke ua dhënë kompanive me pronarë që janë nën hetim nga SPAK për grup të strukturuar kriminal përmes tenderëve.

Në Buletinin e Prokurimeve Publike të datës 12 janar 2025, Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka njoftuar zhvillimin e tenderit me objekt: “Mirëmbajtja e moduleve ekzistuese të KQZ-së”, me vlerë kontrate 480 milionë lekë me TVSH.
Përveç faktit që këtë lloj tenderi Ilirjan Celibashi e bën fiktivisht çdo vit me të njëjtën vlerë, ai ia ka dhënë kompanisë “INTELISOFT Sh.p.k.”, me pronar Gëzim Hoxhën, anëtar i bandës së Ergys Agasit.

Me kërkesë të SPAK dhe vendim të Gjykatës së Posaçme, Gëzim Hoxha është proceduar penalisht si pjesë aktive e grupit të strukturuar kriminal “Agasi”, me masë sigurie “ndalim i daljes jashtë Shqipërisë”, për pjesëmarrje formale në tenderë, lëshim faturash tatimore dhe transaksione fiktive ndaj kompanive që nuk ishin pjesë e tenderimeve.
Por ky fakt nuk e ka ndaluar Ilirjan Celibashin që t’i japë Gëzim Hoxhës tenderin e radhës, me ofertë 70 milionë lekë më tepër, duke përdorur kompani që kanë marrë pjesë fiktivisht në tender.
Në tender ka marrë pjesë sa për numër dhe pa ofertë ekonomike edhe kompania “NAOL Sh.p.k.”, me pronar Olti Muçën; ndërsa Ilirjan Celibashi ka realizuar skemën për t’ia dhënë tenderin anëtarit të grupit “Agasi”, me 70 milionë lekë më tepër se oferta më e ulët./Pamfleti
















