Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Klevis Qose, në prezencën e Avokates së Popullit, znj. Erinda Ballanca, ambasadorit të Mbretërisë Britanike, Alastair King-Smith, ambasadorit të Mbretërisë së Holandës, përfaqësuesve nga ambasada e SHBA, autoriteteve vendore, përfaqësuesve të besimeve në Pogradec dhe organizatave të shoqërisë civile që monitorojnë sistemin e burgjeve, inauguruan Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) të ri në Pojskë, Pogradec.
Kjo strukturë moderne, ndërtuar në përputhje me rekomandimet e Avokatit të Popullit dhe Komitetit për Parandalimin e Torturës (CPT), do të akomodojë vajzat dhe gratë në konflikt me ligjin.
Gjatë vizitës, të ftuarit patën mundësinë të inspektojnë workshop-et e ndryshme brenda burgut, ku zhvillohen aktivitete edukative dhe profesionale për të dënuarit. Gjithashtu, gjatë ceremonisë u nënshkrua një marrëveshje ndërmjet Drejtorisë së Burgjeve dhe Ambasadës Angleze për përmirësimin e Burgut të Fushë Krujës.
Në përfundim, Ministri Manja garantoi mbështetjen e qeverisë shqiptare për vijimin e reformave në sistemin penitenciar. “Të gjithë jemi të vetëdijshëm për vëmendjen që qeveria Rama i ka kushtuar sistemit penitenciar dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim të palëkundur për reformimin e sistemit sipas standardeve më të mira evropiane,” tha Ministri./Bw