Një ditë më parë, Sali Berisha e akuzoi ish-Ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri se ai kishte dhënë autorizim për prodhimin e energjisë në impiantin e inceneratorit të Elbasanit nga ku qytetarët përfitonin 2% të energjisë, ndërsa 98% e përfitonte konçensionari.
Sipas Berishës kjo ndarje e energjisë bëhet për çdo central që e ndërton privati, ndërsa në këtë rast ky po ndërtohej me paratë e shtetit.
“Me paratë e taksapaguesve shqiptare në Elbasan është parashikuar prodhimi i një termocentrali me kapacitet 2.3 megavat, dhe me detyrimin e shtetit shqiptar për të blerë energjinë e këtij impianti për 25 vite. Si kundërvlerë, taksapaguesit e vjedhur shqiptarë, merrnin gjithsej 2 përqind të energjisë, nga ky impiant që e ndërtonin me paratë e tyre, me paratë e veta.
Informoj shqiptarët se nëse ky impiant ndërtohej fund e krye me paratë e privatit, ai do ishte i detyruar që 2 përqind t’ia paguante shtetit shqiptar.
Kurse në rastin konkret, impianti shtetëror, i paguan 2 përqind shtetit dhe 98 përqind koncesionarit, që nuk mund të ndodhë vetëm kur është Edi Rama, Damian Gjiknuri dhe hajdutët e tjerë. Në 25 vite, kjo tejkalon disa herë vjedhjen që bëhet me impiantin e plehrave.
Në këtë prokurim direkt u shkel çdo rregull. Me një vendim të qeverisë, të gjitha HEC-et apo TEC-et me fuqi prodhuese mbi 2 megavat duhet të licencoheshin me vendim të Këshillit të Ministrave dhe hajdut Gjiknuri e dinte shumë mirë këtë. Por ai nuk mund ta kalonte në Këshillin e Ministrave, sepse donte të ndante paratë vetë me Edi Ramën të mos bënte aksionerë të tjerë.
Në aferën e gjeneratorit të energjisë në djegësin e Elbasanit, Gjiknuri është absolutisht hajdut kryesor, bashkë me Ramën” u shpreh Berisha.
Sot, Damian Gjiknuri doli në një konferencë bashkë me Blendi Klosin për t’iu përgjigjur akuzave nga selia blu. Ai kishte marrë me vete një vendim të Këshillit të Ministrave, të cilin tha se e kishte zbatuar pikë për pikë, madje nëse nuk do ta zbatonte atëherë do të ishte në shkelje të ligjit.
“Autorizimi që ka dhënë Ministri i Energjisë ka qenë në zbatim të ligjit në zbatim të kontratës së lidhur, ku thuhet qartë që ministria ka detyrimin të pajisë me leje dhe autorizimet e nevojshme duke cituar edhe ligjet konkrete.
Ju, po t’i referoheni… Unë i nxora se ma mori mendja që mund të bëhej kjo pyetje… Këtu ka një vendim qeverie, ka një vendim të Këshillit të Ministrave, ka edhe një vendim të Këshillit të Ministrave në lidhje me rregullat e impiantit të energjisë dhe çdo gjë ka një bazë ligjore. Mjafton një gazetar të marrë një jurist dhe të pyesë: Vendimi a ka dalë në zbatim të ligjit dhe të vendimeve të Këshillit të Ministrave në fuqi? Kaq e thjeshtë është kjo punë. Pra absurditeti 25 vjeçar është absurditeti më i madh.
E kam thënë me ironi që e trajtojnë sikur në partinë e tyre, që njëri ka vulën, tjetri s’ka vulën. Impianti në 7 vjet pasi shfrytëzohet nga privati i dorëzohet shtetit dhe sot shteti e ka. Qarku i Elbasanit kanë edhe të drejtën edhe autorizimin edhe licensat që ka marrë ky impiant dhe prodhon energji dhe shet energji për të rikuperuar kostot ekonomike. Nëse unë nuk do kisha dhënë autorizim për prodhimin e energjisë, atëherë unë do të shkelja ligjin” tha Gjiknuri.
Me pak fjalë, Gjiknuri ia ka lënë topin qeverisë së drejtuar nga Edi Rama për firmën që ka hedhur në autorizimin e inceneratorit të Elbasanit.
Kjo alibi është e ngjashme me atë të Arben Ahmetajt, i cili vazhdimisht nga arratia ka theksuar një mesazh që mund të përmblidhet me fjalët: Mbreti nuk jam unë!/Lapsi.al