Inovacioni, Shqipëria fiton një pozicion, por dështojmë te kapitalet njerëzore dhe kërkimore

Indeksi Global i Inovacionit për vitin 2023 i publikuar së fundmi nga “Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale” e pozicionon Shqipërinë në vend të 83 mes 132 vendeve duke grumbulluar në total 25.4 pikë. Krahasuar me edicionin e vitit 2022 vendi ynë shihet të jetë përmirësuar edhe në pikëzim edhe në renditje duke fituar një pozicion. Indeksi Global i Inovacionit zbulon ekonomitë më inovative në botë, mat performancën e ekosistemeve dhe “gjurmon” tendencat e reja të inovacionit dhe përparimin teknologjik në 132 ekonomi të botës.

I parashikuar për të pasur një pamje sa më të plotë të inovacionit, Indeksi përfshin shumë tregues, ku mes tyre masat për mjedisin politik, arsimin, infrastrukturën dhe krijimin e njohurive të reja. Shtyllat kryesore mbi të cilat ngrihet ky indeks janë: Institucionet, Kapitalet njerëzore dhe kërkimore, Infrastruktura, Sofistikimet e tregut dhe biznesit, si dhe Njohuritë e teknologjisë dhe kreativiteti. Vlerësimi i pikëve bëhet nga 0 deri në 100 pikë, ku 0 përfaqëson nivelin më të dobët dhe 100 nivelin më të mirë.

Krahasuar me vendet e rajonit Shqipëria renditet e fundit. “Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale” në Indeksin Global të Inovacionit 2023, rendit Serbinë në vend të parë në rajon si ekonomia më inovative duke e pozicionuar në vend të 53-të. Maqedonia e Veriut ndjek Serbinë në vend të 54-t, ndërsa Mali i Zi renditet në vend të 75-të. E parafundit në rajon renditet Bosnje Hercegovina në vend të 77-të. Nëse do të flisnim në rang botëror renditjen e kryeson Zvicra e ndjekur nga Suedia në vend të dytë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vend të tretë. Ndërkohë, që Shqipëria në indeksin e përgjithshëm renditej në vend të 83, “Scan” ka analizuar renditjen e vendit tonë në të gjitha shtyllat e përmendura më lart. Pozicionimin më pozitiv vendi ynë e regjistron sa i përket infrastrukturës duke u renditur në vend të 53-të, ndërkohë pozicionin më negativ e kemi për sa i përket njohurive teknologjike dhe sofistikimit të tregut duke u renditur ne vend të 91 dhe 93 respektivisht. Për kapitalet njerëzore dhe kërkimore Shqipëria po ashtu vlerësohet të ketë një pozicionim jo aq pozitiv dhe ka rënë në pozicion, krahasuar me vitin e kaluar, duke u renditur në vend të 96-të mes 123 vendeve në total./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne