Opinion

Intelektualët!

Nga Antonio Gramsci

[§ 1]. A janë intelektualët një grup shoqëror autonom dhe i pavarur apo çdo grup shoqëror ka një kategori të specializuar intelektualësh të vet? Çështja është komplekse si pasojë e formave të larmishme që ka marrë deri më tani procesi historik real i formimit të kategorive të ndryshme të intelektualëve. Më të rëndësishmet nga këto forma janë dy:

I) Çdo grup shoqëror, duke lindur në terrenin zanafillor të një funksioni thelbësor në botën e prodhimit ekonomik, krijon bashkë me veten, në mënyrë organike, një ose më shumë shtresa intelektualësh të cilët i japin homogjenitet dhe vetëdije mbi funksionin e tij jo vetëm në sferën ekonomike, por edhe në atë shoqërore e politike: sipërmarrësi kapitalist krijon bashkë me veten edhe teknikun e industrisë, shkencëtarin e ekonomisë politike, organizatorin e një kulture të re, të një të drejte të re etj., etj. Lipset të vihet në dukje fakti që sipërmarrësi përfaqëson një ndërtim shoqëror sipëror, të karakterizuar nga një farë aftësie drejtuese dhe teknike (domethënë intelektuale): përpos se në sferën e ngushtë të veprimtarisë dhe iniciativës së tij, ai duhet të ketë një farë aftësie teknike edhe në sfera të tjera, së paku në ato më afër prodhimit ekonomik (duhet të jetë një organizator i masave të njerëzve, duhet të jetë një organizator i “besimit” të depozituesve që i japin hua sipërmarrjes së tij, i blerësve të mallit të tij etj.). Në mos të gjithë, së paku një elitë sipërmarrësish duhet të ketë aftësinë e organizatorit të shoqërisë në tërësi, duke përfshirë tërë organizmin e saj kompleks të shërbimeve, deri tek organizmi shtetëror, për shkak të nevojës që ajo ka për krijimin e kushteve më të favorshme për ekspansionin e klasës së vet; ose së paku duhet të zotërojë aftësinë për të zgjedhur “nëpunësit” (punëtorë të specializuar) të cilëve t’u besojë veprimtarinë organizative të marrëdhënieve të përgjithshme jashtë ndërmarrjes. Mund të vërejmë se intelektualët “organikë” që çdo klasë e re krijon me veten e saj dhe përpunon gjatë zhvillimit të saj progresiv, janë kryesisht “specializime” të aspekteve të pjesshme të veprimtarisë primitive të tipit shoqëror të ri të cilin klasa e re ka sjellë në jetë. (Edhe zotërinjtë feudalë ishin mbartës të një aftësie teknike të veçantë, asaj ushtarake, dhe pikërisht në momentin kur aristokracia humbet monopolin e aftësisë tekniko-ushtarake nis kriza e feudalizmit. Mirëpo formimi i intelektualëve në botën feudale dhe në botën klasike pararendëse është një çështje që duhet analizuar më vete: ky formim dhe ky përpunim ndjek rrugë dhe mënyra të cilat duhen studiuar konkretisht. Kësisoj duhet vënë në dukje se masat e fshatarëve, sado që kryejnë një funksion thelbësor në botën e prodhimit, nuk i prodhojnë intelektualët e tyre “organikë” dhe nuk “asimilojnë” asnjë shtresë intelektualësh “tradicionalë”, edhe pse grupe të tjera shoqërore i marrin shumë prej intelektualëve të tyre nga masa e fshatarëve dhe pjesa më e madhe e intelektualëve tradicionalë janë me origjinë fshatare).

II) Mirëpo çdo grup shoqëror “thelbësor” që del në histori nga struktura ekonomike pararendëse  dhe si shprehje e zhvillimit të saj (e kësaj strukture), ka gjetur, së paku në historinë e zhvilluar deri më tani, kategori shoqërore paraekzistuese, të cilat madje shfaqësishin si përfaqësuese të një vazhdimësie historike të pandërprerë as nga ndryshimet më të ndërlikuara e radikale të formave shoqërore e politike. Më tipikja mes këtyre kategorive të intelektualëve është ajo e kishtarëve, monopolizues për një kohë të gjatë (gjatë një faze të tërë historike e cila madje karakterizohet pjesërisht prej këtij monopoli) të disa shërbimeve të rëndësishme: ideologjia fetare, pra filozofia dhe shkenca e kohës, bashkë me shkollën, arsimin, moralin, drejtësinë, bamirësinë, asistencën etj. Kategoria e kishtarëve mund të konsiderohet si një kategori intelektuale e lidhur organikisht me aristokracinë e tokës: juridikisht ajo ishte e barabartë me aristokracinë, me të cilën ndante ushtrimin e pronësisë feudale mbi tokën dhe përfitimin nga privilegjet shtetërore që lidheshin me pronën. Mirëpo monopoli i kishtarëve mbi superstrukturat (nga ky monopol ka lindur kuptimi i përgjithshëm “intelektual” ose “specialist” që mbart fjala “klerik” në shumë gjuhë me origjinë neolatine apo fuqimisht të influencuara nëpërmjet latinishtes kishtare nga gjuhët neolatine, së bashku me termin e tij të bashkëlidhur “laik”, në kuptimin e profanes – i paspecializuar) nuk është ushtruar pa luftë dhe kufizime ,dhe kjo ka sjellë lindjen, në forma të ndryshme (të cilat duhen kërkuar dhe studiuar konkretisht), të kategorive të tjera, të favorizuara dhe të zgjeruara nga fuqizimi i pushtetit qendror të monarkut, deri në absolutizëm. Kështu kemi formimin e aristokracisë së togës, me privilegjet e saj; një shtresë administratorësh etj., shkencëtarësh, teoricienësh, filozofësh jokishtarë etj.

Meqë këto kategori të larmishme intelektualësh tradicionalë e përjetojnë vazhdimësinë e tyre historike të pandërprerë dhe “kualifikimin” e tyre nëpërmjet  një “esprit de corps”-i, rrjedhimisht ata e vendosin veten e tyre si autonomë e të pavarur nga grupi shoqëror sundues; ky vetëpozicionim nuk është pa pasoja në rrafshin ideologjik dhe politik, madje pasoja të një rëndësie të madhe (e tërë filozofia idealiste mundet lehtësisht të lidhet me këtë pozicion të mbajtur nga shtresa shoqërore e intelektualëve dhe këtë filozofi mund ta përkufizojmë si shprehje të utopisë shoqërore sipas të cilës intelektualët e mendojnë veten të “pavarur”, autonomë, të pajisur me një natyrë të tyren etj. Megjithatë duhet vënë në dukje  fakti që nëse papa dhe hierarkia e lartë e Kishës e mendojnë veten më të lidhur me Krishtin dhe apostujt sesa me senatorët Agnelli dhe Benni, kjo nuk vlen për sa i përket, për shembull, Gentile-s dhe Croce-s:  Croce-ja, në veçanti, ndien një lidhje të fortë me Aristotelin dhe Platonin, mirëpo, nga ana tjetër,ai nuk e fsheh lidhjen e tij me senatorët Agnelli dhe Benni, dhe pikërisht këtu duhet kërkuar karakteri i spikatur i filozofisë së Croce-s).

(Ky hulumtim mbi historinë e intelektualëve nuk do të jetë i natyrës “sociologjike”, por do t’i japë shkas një sërë sprovash mbi “historinë e kulturës” (Kulturgeschichte) dhe mbi historinë e shkencës politike. Megjithatë do të jetë e vështirë shmangia e disa formave skematike dhe abstrakte që na sjellin ndërmend ato të “sociologjisë”: prandaj është e nevojshme të gjendet forma letrare më e përshtatshme në mënyrë që shtjellimi të jetë “josociologjik”. Pjesa e parë e hulumtimit  mund të ishte një kritikë metodike e veprave tashmë ekzistuese mbi intelektualët, të cilat janë pothuajse të gjitha të natyrës sociologjike. Prandaj është e domosdoshme mbledhja e bibliografisë mbi argumentin).

Cilat janë caqet “maksimale” të kuptimit të termit “intelektual”? A mund të gjendet një kriter i përbashkët që karakterizon njëlloj të gjitha veprimtaritë e ndryshme intelektuale dhe që njëkohësisht  dhe në mënyrë të qenësishme i dallon këto nga veprimtaritë e grupeve të tjera shoqërore? Gabimi metodik më i përhapur më duket ai i të kërkuarit të këtij kriteri dallues në natyrën e brendshme të veprimtarive intelektuale  dhe jo në tërësinë e sistemit të marrëdhënieve në të cilat këto veprimtari (e, për rrjedhojë, grupet që i personifikojnë ato) pozicionohen brenda tërësisë së përgjithshme të marrëdhënieve shoqërore. Në të vërtetë punëtori ose proletari, për shembull, nuk karakterizohen specifikisht nga puna manuale ose ajo me vegla (përpos konsideratës sipas të cilës nuk ekziston punë vetëm fizike dhe që edhe shprehja  e Taylor-it “gorillë e stërvitur” është një metaforë që tregon një kufi në një drejtim të caktuar: në çdo punë fizike, edhe në atë më mekaniken dhe poshtëruesen, ekziston një kualifikim teknik minimal, domethënë një veprimtari intelektuale krijuese minimale). Dhe e kemi theksuar tashmë që sipërmarrësi, për vetë funksionin e tij, duhet të ketë në një farë mase një numër të caktuar kualifikimesh të natyrës intelektuale, megjithëse figura e tij shoqërore nuk është e përcaktuar prej tyre, por nga marrëdhëniet e përgjithshme shoqërore që karakterizojnë pozicionin e sipërmarrësit në industri.

Prandaj ndokush mund të thotë që të gjithë njerëzit janë intelektualë; por jo të gjithë njerëzit kanë në shoqëri funksionin e intelektualit (kështu të mos mendohet, meqenëse mund të ndodhë që të gjithë në ndonjë moment të skuqim dy vezë apo të qepim një rrobë të grisur, që të gjithë janë kuzhinierë dhe rrobaqepës). Historikisht kështu formohen kategoritë e specializuara për ushtrimin e funksionit të intelektualit, formohen në bashkëlidhje me të gjitha grupet shoqërore, por në mënyrë të veçantë në bashkëlidhje me grupet shoqërore më të rëndësishme, dhe ato pësojnë një transformim më të gjerë e kompleks në bashkëlidhje me grupin shoqëror sundues. Një prej karakteristikave më të rëndësishme që çdo mbart grup që synon të sundojë është lufta e tij për asimilimin dhe pushtimin “ideologjik” të intelektualëve tradicionalë, dhe ky asimilim e pushtim është më i shpejtë dhe i efektshëm sa më shumë grupi i dhënë krijon intelektualët e vet organikë. Zhvillimi i stërmadh që merr veprimtaria dhe organizimi shkollor (në kuptimin e gjerë të fjalës) në shoqëritë e dala nga bota mesjetare është një tregues i rëndësisë që kanë marrë në botën modern kategoritë dhe funksionet intelektuale: krahas orvatjes për të përthelluar dhe zgjeruar “intelektualitetin” e çdo individi, ekziston edhe orvatja për të shumëfishuar specializimet dhe për t’i përsosur ato. Këtë mund ta shohim nga institucionet shkollore të niveleve të ndryshme deri tek organizmat që promovojnë të ashtuquajturën “kulturë e lartë” në çdo fushë të shkencës dhe të teknikës. (Shkolla është mjeti me anë të të cilit formohen intelektualët e nivele të ndryshme. Kompleksiteti i funksionit të intelektualit në shtete të ndryshme mund të matet objektivisht nga sasia dhe hierarkizimi i shkollave të specializuara: sa më e madhe “hapësira” që zë edukimi dhe sa më të larta në numër “nivelet” “vertikale” të shkollimit, aq më shumë komplekse është bota kulturore dhe civilizimi i një shteti të caktuar. Një pikë krahasimi mund të gjendet  në sferën e teknikës industriale: industrializimi i një vendi matet me mjetet që ai zotëron për prodhimin e makinave të cilat prodhojnë makina dhe me fabrikimin e instrumenteve gjithnjë e më të përpikta për prodhimin e makinave dhe instrumenteve për prodhimin e makinave etj. Vendi që ka mjetet më të zhvilluara për prodhimin e instrumenteve  për laboratorë shkencorë dhe për prodhimin e instrumenteve për kolaudimin e këtyre instrumenteve, mund të thuhet se është më kompleksi në fushën tekniko-industriale dhe me shkallën më të lartë të civilizimit etj. E njëjta gjë vlen edhe për sa i përket përgatitjes së intelektualëve dhe shkollave që i kushtohen kësaj përgatitjeje: shkollat dhe institutet e kulturës së lartë mund të asimilohen nga njëra-tjetra). (Edhe në këtë fushë sasia nuk mund të ndahet nga cilësia. Specializimit më të rafinuar tekniko-kulturor nuk mund të mos i përgjigjet shtrirja më e madhe e mundshme e arsimit fillor dhe gatishmëria maksimale për t’i zgjeruar numerikisht klasat e mesme sa më shumë të jetë e mundur. Natyrisht kjo nevojë për të krijuar një bazë sa më të gjerë të jetë e mundur për përzgjedhjen dhe formimin e kualifikimeve më të larta intelektuale – domethënë për t’i dhënë kulturës së lartë dhe teknikës së lartë një strukturë demokratike – nuk është pa të meta: kësisoj krijohet mundësia për të pasur kriza të gjera papunësie në shtresat e mesme intelektuale, sikundër ndodh në realitet në të gjitha shoqëritë moderne).

(Vijon)

E përktheu Alfred Bushi

Marrë nga “Fletoret e burgut”, vëll. 3, Fletorja 12, 1932/teza11.org

OPINIONE

INTERVISTA