KS-OKB refuzon kërkesën e SHBA-së për sanksione ndaj Iranit

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) refuzoi kërkesën e SHBA-së për të vënë në zbatim mekanizmin (snap back) i cili ndodhet në marrëveshjen bërthamore mes Iranit dhe fuqive ndërkombëtare dhe që parashikon “rivendosjen e sanksioneve në rast të mos zbatimit të marrëveshjes”.

Triansyah Djani, përfaqësuesi i përhershëm i Indonezisë në OKB që ushtron presidencën e përkohshme të Këshillit në një deklaratë mbi kërkesën e Rusisë dhe Kinës për të njoftuar mendimet e anëtarëve të Këshillit rreth çështjes, tha se në Këshillin 15 anëtarësh, të gjithë anëtarët përveç Republikës Dominikane kanë shprehur mendimin se do të jetë i paligjshëm zbatimi i një mekanizmi të tillë për shkak se SHBA-ja është tërhequr nga marrëveshja bërthamore e nënshkruar në vitin 2015.

Në një fjalim me temën “Lindja e Mesme” në një mbledhje të Këshillit nëpërmjet telekonferencës, ambasadori Djani tha se “Bisedimet e zhvilluara me vendet anëtare dhe letrat e përcjella nga përfaqësuesit e vendeve tregojnë se një prej anëtarëve të këshillit ka një mendim të caktuar rreth çështjes dhe se anëtarët tjerë nuk pajtohen me këtë mendim”.

“Nuk ka dakordim në mesin e anëtarëve të Këshillit për vendosjen në zbatim të mekanizmit të sanksioneve”, tha Djani duke shtuar se “Për këtë arsye kryetari nuk ka kompetencë që të hedhë hap në këtë drejtim”.

Propozimi i SHBA-së për “embargo të përhershme të armëve”

SHBA më parë paraqiti në Këshill një projekt-rezolutë që parashikonte që embargoja e armëve kundër Iranit e cila përfundon më 18 tetor të vazhdojë derisa KS-OKB të vendos ndryshe.

Ministrat e Rusisë dhe Kinës, në një letër dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres dhe KS-OKB-së, paraqitën kundërshtimet e tyre lidhur me propozimin, duke dhënë kështu sinjalin se do të vendosin veto si anëtarë të përhershëm që kanë këtë të drejtë në rast se Këshilli merrte një vendim të tillë.

Ndërsa SHBA-ja theksoi se në rast të vendosjes së vetos, do të vendoste në zbatim sanksionet emergjente, të parashikuara në marrëveshjen bërthamore të nënshkruar në vitin 2015 mes Iranit dhe fuqive ndërkombëtare.

Nga palët e marrëveshjes Rusia dhe Kina, rikujtuan se SHBA-ja është tërhequr nga marrëveshja dhe se i mungon mundësia që të vendos në zbatim mekanizmin në fjalë të sanksioneve.

Nga 15 vende anëtare, vetëm SHBA dhe Republika Dominikane miratuan projektligjin i cili u votua në KS-OKB më 21 gusht.

KS-OKB me një vendim të marrë në vitin 2010 ndaloi që Irani të blinte sisteme të armëve me gamë të gjerë për shkak të diskutimeve lidhur me programin bërthamor të vendit. Ndërsa më parë ishte vendosur embargo për eksportin e armëve të vendit.

Marrëveshja bërthamore e nënshkruar mes Iranit dhe fuqive ndërkombëtare në vitin 2015 përmbante një dispozitë që parashikonte heqjen e embargos së armëve në tetor 2020.

SHBA në vitin 2018 njoftoi tërheqjen nga marrëveshja bërthamore./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne