Inteligjenca artificiale, AKSHI tender 2.6 milionë euro për projektin që lidhet me BE

Qeveria synon të përdorë inteligjencën artificiale në disa procese pune të administratës publike që kanë si synim përafrimin e disa aspekteve ligjore e rregullatore të kuadrit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit çeli këtë të enjte tenderin me një fond limit 279 milionë lekë apo rreth 2.6 milionë euro me objekt “Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në procesin e Transpozimit të Aqcuis për Integrimin Evropian”.

Në dokumentet e procedurës nënvizohet se “objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është implementimi i teknologjisë AI në institucionet publike me qëllim përshpejtimin e procesit të transpozimit të akteve të BE. Ofrimi i këtij shërbimi nëpërmjet përdorimit të kapaciteteve NLP (Natural Language Processing), do të mundësojnë automatizimin, grumbullimin, seleksionimin e të gjithë akteve/ligjeve të sjella nga BE dhe aksesimin e këtyre kodeve në çdo kohë dhe nga çdo pajisje nga të gjithë aktorët e përfshirë në këto procese”

Konkretisht, ky automatizim sipas AKSHI-t përfshin shtimin e teknologjisë AI në institucionet publike për menaxhimin e kërkesave dhe dhënies së informacioneve të dëshiruara, të marra nga aktet e BE ndaj të gjithë përdoruesve të platformës përgjatë gjithë kohëzgjatjes së këtij projekti.

Në thelb qëllimi i kësaj nisme është konfigurimi i një platforme për institucionet publike e cila vendos në përdorim Inteligjencën Artificiale (AI) me qëllim uljen e barrës administrative të transpozimit të legjislacionit të BE-së.

Po kështu përdorimi i AI në përgatitjen e akteve për përafrim, në proceset e: grupimit dhe kategorizimit të akteve/rregullores së Acquis, filtrimin e informacioneve sipas prioritetit dhe përkthimin e akteve.

Një tjetër qëllim është përdorimi i AI në krahasimin e legjislacionit aktual shqiptar me atë të Acquis për të identifikuar: boshllëqe, mospërputhje, dhe ngjashmëritë si dhe në hartimin e një draft ndërhyrjeje ligjore dhe/ose përafrimit të politikave në sistemin tonë.

Arsyeja e kësaj nisme lidhet me faktin se tashmë në këtë etapë të re Shqipërisë i duhet të përshpejtojë procesin për transpozimin e Acquis ndërkohë që volumi i punës mbetet i lartë.

“Niveli i radhitjes së Acquis të BE-së në sistemin tonë ligjor mbetet i ulët, me një shpejtësi aktuale për hartimin e legjislacionit të përafrimit më afër më shumë se 60 akteve në vit. Duke filluar procesin e negociatave në korrik 2022, Shqipëria duhet të përshpejtojë procesin e radhitjes, prandaj:

·Ekziston nevoja që Shqipëria të përshpejtojë integrimin në BE (veçanërisht të bashkohet me Tregun e Vetëm) – një nevojë e tillë mund të mbështetet nga optimizimi i kohës dhe burimeve gjatë procesit të negociatave

·Shqipëria mund të kërkojë të miratojë mjete teknologjike për të ulur barrën administrative të transpozimit të legjislacionit të BE-së në kontekstin shqiptar, etj.

·Inteligjenca Artificiale (AI), mund të luajë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e shtrirjes së Acquis të BE-së në Shqipëri; Implementimi i një sistemi AI do të bënte të mundur automatizimin e proceseve të punës së përafrimit të akteve ligjore lidhur me të, të tilla si vlerësimi i ndikimit të Acquis të BE-së, identifikimi i boshllëqeve, analiza dhe madje edhe ofrimi i disa veprimtarive paraligjore (hartuese) dhe të tjera mbështetëse” thuhet në dokument./Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne