Irani kërkon bashkëpunim me Turqinë në industrinë e mbrojtjes

Presidenti iranian Hasan Ruhani tha se Turqia dhe Irani si dy vende fqinje dhe mike mund të bashkëpunojnë në fushën e industrisë së mbrojtjes dhe mund të prodhojnë avion luftarak.

Duke folur në një aktivitet organizuar në kryeqytetin e vendit, Teheran, me rastin e prezantimit të avionit luftarak “Kevser”, Ruhani bëri vlerësime lidhur me sanksionet amerikane dhe marrëdhëniet me vendet fqinje.

Ruhani tha se në industrinë e mbrojtjes dëshirojnë të prodhojnë armë me kosto të ulët dhe me fuqi të lartë veprimi, duke shtuar se Irani po fuqizohet çdo ditë e më shumë në këtë fushë.

“Nga vendet fqinje dhe mike në fushën e mbrojtjes ne mund të bashkëpunojmë me Turqinë dhe Pakistanin”, tha presidenti Ruhani duke shtuar se mund të prodhojnë avion luftarak nëse këto vende punojnë së bashku dhe se këto vende kanë kapacitete për të bërë edhe më shumë.

Lideri iranian kritikoi në fjalën e tij edhe sanksionet e ShBA-së ndaj Turqisë dhe nënvizoi se Irani është për një bashkëpunim më të madh me vendet fqinje.

Duke mbrojtur idenë e tij se ShBA-ja është një shtet i “pabesueshëm” në botë, Ruhani theksoi se “ShBA-të e dinë shumë mirë se kostoja do të jetë shumë e rëndë për ta nëse do ta sulmojnë Iranin”.

Ndërkohë raportohet se në prodhimin e avionit reaktiv luftarak “Kevser” janë përdorur sisteme avionike vendore, tregues HUD, radarë për shumë qëllime. Avioni është me dy kabina dhe është në gjendje të lexojë edhe hartat digjitale./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne