Bota

Një tërmet 7,3 ballë goditi Venezuelën

Një termet me magnitudë 7,3 ballë sipas shkallës Rihter ka goditur Venezuelën veriperëndimore, ndërsa dridhjet janë ndier edhe në kryeqytetin Karakas.

Shumë godina janë boshatisur pas tërmetit më të fuqishëm që ka parë vendi pas vitit 1900.

Ashensori i një qendre tregtare në qytetin Kumana ra gjatë tërmetit duke shkaktuar plagosjen e njerëzve që ndodheshin brenda.

Lëkundjet e tërmetit janë ndjerë edhe në vendet fqinje si Kolumbi, Guajana, Barbados, Grenada.

Aeroporti ndërkombëtar në kryeqytetin e Kolumbisë, Bogota, u mbyll për pak kohë për të verifikuar se ishte dëmtuar apo jo pista.

Ministri i Punëve të Brendshme të Venezuelës, Nestor Luis Reverol, deklaroi se sipas përcaktimeve të para tërmeti nuk ka shkaktuar viktima, por se ka pasur disa të lënduar dhe janë regjistruar dëme të konsiderueshme materiale.

Banorët e Karakasit për mediat amerikane deklaruan se tërmeti ka zgjatur rreth një minutë.

Qendra amerikane për vrojtime gjeologjike (USGS) kishte njoftuar se një termet me magnitudë 7,3 ballë të Rihterit ishte regjistruar në një thellësi prej 123 kilometrash, me epiqendër rreth 20 kilometra nga qyteti veriperëndimor Yaguarap.

Kurse tërmeti i dytë goditi grupin e ishujve Vanuatu. Madhësia e tërmetit ka qenë 6,7 ballë. Deri tani nuk janë raportuar humbje jetësh./ trt