Irani refuzon propozimin rus për bisedime të drejtpërdrejta me SHBA-të

Irani ka dhënë përgjigje negative ndaj propozimit të Rusisë për bisedime të drejtpërdrejta mes Teheranit dhe Washingtonit.

Kreu i Zyrës së Presidencës së Iranit, Mahmoud Vaezi duke folur për agjencinë iraniane të lajmeve Tasnim, refuzoi propozimin e ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov për bisedime të drejtpërdrejta mes Iranit dhe SHBA-së.

Ai tha se edhe Rusia ashtu sikurse vendet e tjera tregon përpjekje për të ulur tensionet mes SHBA-së dhe Iranit. “Nuk kemi plan për bisedime me amerikanët dhe qëndrimin tonë për këtë çështje e kemi treguar në mënyrë shumë të hapur”, tha Vaezi.

“Amerikanët mund të bisedojnë si një palë e marrëveshjes vetëm duke u rikthyer në marrëveshjen bërthamore. Përveç kësaj çdo iniciativë do të mbetet pa rezultat”, deklaroi Vaezi.

Lavrov në një fjalim të mbajtur të martën duke iu drejtuar studentëve të Institutit shtetëror të Moskës për marrëdhëniet ndërkombëtare, tha se janë të gatshëm të ofrojnë mbështetje për bisedime të drejtpërdrejta mes Iranit dhe SHBA-së nëse të dyja palët pranojnë.

“Besojmë se para së gjithash është më mirë që problemet dhe mosmarrëveshjet të shprehen drejtpërdrejt dhe të marrin përgjigje drejtpërdrejt”, ka thënë Lavrov./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne