Kryeprokurori Çela i beson ish-rivales postin e rëndësishëm në Hagë

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka përzgjedhur Fatjona Memçajn për pozicionin e prokurorit ndërlidhës të Republikës së Shqipërisë pranë Eurojust. Fatjona Memçaj, ish-kandidate për kryeprokurore është aktualisht prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Kandidatja e përzgjedhur do të komandohet sipas rregullimeve ligjore të brendshme nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për periudhën 2 vjet e 6 muaj.

Por cfarë është Eurojust-i? Ky institucion me zyrë në Hagë u krijua me një vendim të Këshillit Europian, i miratuar në vitin 2002. Eurojust është institucioni të cilit i është besuar forcimi i luftës kundër krimeve të rënda përmes bashkëpunimit më të ngushtë brenda Bashkimit Europian në fushën e zbatimit të ligjit.

Eurojust-i është një institucion që bashkërendon aktivitetin e prokurorive kombëtare të shteteve anëtare dhe përbëhet nga 27 përfaqësues kombëtarë: gjyqtarë, prokurorë, dhe oficerë policie, të dërguar nga shtetet anëtare. Ky institucion i përmbush detyrat e tij me ndihmën e një ose disa prej anëtarëve kombëtarë, ose duke vepruar në mënyrë kolegjiale. Për më tepër, çdo Shtet Anëtar mund të emërojë një ose më shumë korrespondentë kombëtarë, të cilët po ashtu, mund të shërbejnë si pika kontakti për Rrjetin Europian gjyqësor.

Eurojust-i ka kompetencë që të hetojë dhe të procedojë në krimet e rënda, veçanërisht krimin e organizuar ose krimin ndërkufitar. Qëllimi i Eurojust-it është që të nxisë bashkëpunimin mes autoriteteve kompetente në shtetet anëtare, por edhe të lehtësojë ndihmën ligjore të ndërsjellë ndërkombëtare, si dhe t’u përgjigjet kërkesave për ekstradim ose urdhrave Europianë të arrestit./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne