Bota Shqiperia

Irlanda/Emigrantët shqiptarë po bëhen shqetësim në vend

Emigrantët shqiptarë po kthehen në një shqetësim për autoritetet irlandeze. Mediat vendase atje raportojnë se vetëm nëpërmjet Portit të Ringaskiddy në Cork në nëntë muajt e fundit kanë tentuar të hyjnë 26 klandestinë shqiptarë.

Shifrat u publikuan nga drejtuesi i Departamenti i Drejtësisë të Fianna Fáil, Michael McGrath, pak ditë pasi u zbuluan 8 klandestinë shqiptarë në një kontenier. Ata ishin fshehur në një anije që vinte nga Spanja.

McGrath shprehet se shifrat për këto nëntë muaj tregojnë një shqetësim serioz dhe ngrenë pyetjen nëse bëhet fjalë për trafik të mirëfilltë njerëzish.

“Mendoj se ngrihet një shqetësim për këtë çështje, duke pasur parasysh shifrat. Mendoj se është dështim total nga pala spanjolle në lidhje me sigurinë dhe kontrollin e emigracionit”, tha ai.

Të tetë shqiptarët që u gjetën në kontenier ishin nën moshën 24-vjeçare, duke përfshirë mes tyre një 16-vjeçar. Ata ishin fshehur midis paletave në një kontenier të vendosur në fund të një kamioni. Trageti ishte nisur nga Santander rreth orës 5 të pasdites së 25 Shkurtit.

Udhëtimi nga Santander në Cork zgjat rreth 26 orë, por besohet se shqiptarët kanë qëndruar aty për 4 ditë. Me vete ata kishin ushqim dhe ujë.

Pas zbulimit të tyre, në vendin e ngjarjes shkuan forcat e policisë dhe shërbimet e emergjencës. Të gjithë ishin në gjendje të mirë shëndetësore, përveç njërit që u trajtua për shkak të dehidratimit. Që prej asaj dite katër prej tyre janë deportuar, ndërsa tre të tjerë janë në pritje të deportimit. Ndërkohë për 16-vjeçarin priten të kryhen hetime të tjera.

OPINIONE