Ish-kryeministri italian propozon shndërrimin në burgje të qendrave për emigrantët në Shqipëri

Ish-kryeministri dhe senatori italian, Matteo Renzi, ka zhvilluar një vizitë në Shqipëri, ndërkohë ka vizituar qendrat për emigrantët të ndërtuara nga autoritetet italiane. Në një deklaratë për mediat nga Qarku i Lezhës, Renzi u shpreh se funksioni i këtyre qendrave ka dështuar, duke propozuar shndërrimin e tyre në burgje për shqiptarët e dënuar në Itali.

Raportohet se ish-kryeministri italian ka propozuar kthimin e këtyre qendrave në burgje, pasi sipas tij kjo mund të mundësojë që shqiptarët e dënuar në Itali të jenë më afër familjes.

“Me anë të një marrëveshjeje me shtetin shqiptar, qendrat e Gjadrit dhe Shëngjinit të kthehen në burgje për shqiptarët të cilët vuajnë dënimin në Itali”, ka theksuar Renzi.

Kujtojmë se disa grupe të emigrantëve të paligjshëm që erdhën në Shqipëri në kuadër të kësaj marrëveshjeje u rikthyen përsëri në Itali, pas vendimit të gjykata italiane.

– Protokolli Shqipëri-Itali për çështjen e emigracionit

Më 6 nëntor të vitit 2023, mes Shqipërisë dhe Italisë u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit, ndërsa marrëveshja shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Itali.

Protokolli, në bazë të të cilit u ngritën në Shqipëri qendrat e pritjes së emigrantëve të paligjshëm, u nënshkrua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 shkurt të vitit 2024.

Sipas Qeverisë së Shqipërisë, ky protokoll ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet palëve për menaxhimin e flukseve migratore nga vendet e treta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane.

Ndërkohë, sipas protokollit, autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të emigrantëve të strehuar në strukturat që janë ndërtuar, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit. Qendrat që janë ngritur në Qarkun e Lezhës menaxhohen nga autoritetet italiane./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne