Sipas një ish-zyrtari të OKB-së, gjenocidi izraelit në Gaza, tashmë në vitin e tij të dytë, i shoqëruar me dështimin e Kombeve të Bashkuara (OKB) për të ndërmarrë veprime vendimtare ose për të zbatuar masa efektive, edhe një herë ka theksuar nevojën urgjente për reforma gjithëpërfshirëse brenda trupit global.
Duke folur për Agjensinë Anadolli, Hans von Sponeck, ish-ndihmës sekretar i përgjithshëm i OKB-së dhe koordinator humanitar i OKB-së për Irakun, theksoi nevojën për të rishikuar sistemin e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së deh për të zgjeruar përfaqësimin global.
“Afganistani, Siria, Iraku dhe situata brutale mbi të keqen që ka evoluar në Palestinë mund të ishin shmangur nëse anëtarët e përhershëm do të tërhiqeshin në të njëjtin skaj të litarit. Kjo nuk ka ndodhur. Qasjet e njëanshme nuk funksionuan”, tha ai.
Sponeck dënoi mizoritë e vazhdueshme në Gaza, duke theksuar se “çdo ditë, çdo mbrëmje, kur shohim ekranet, ne shohim jo vetëm vrasje dhe vdekje në Palestinë, por edhe një injorim të hapur të ligjit ndërkombëtar”. Ai shtoi se OKB-ja nuk luan asnjë rol atje.
Ai gjithashtu theksoi mos balancimin në përfaqësim brenda anëtarësimit të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Ne kemi tre shtete perëndimore që janë anëtarë të përhershëm, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-në dhe Francën. Ne kemi Rusinë si përfaqësuese të Evropës Lindore dhe ne kemi Azinë të përfaqësuar. Afrika, me 54 vende, nuk është fare e përfaqësuar në grupin P5”, tha ai, duke theksuar se rajoni duhet të ketë një vend të përhershëm.
“Amerika Latine po ashtu nuk është e përfaqësuar dhe Azia është plotësisht e nën-përfaqësuar”, shtoi ai.
Sponeck po ashtu theksoi nevojën për të reformuar marrëdhëniet midis Këshillit të Sigurimit dhe Asamblesë së Përgjithshme.
“Ju, vit pas viti, keni një Asamble të Përgjithshme që miraton rezoluta. Shumica voton për dekolonizimin, voton për çarmatimin, voton për një rend të ri ekonomik, voton për më shumë të drejta të njeriut. Dhe pastaj një pakicë bën atë që duan ata”, tha ai.
Izraeli ka nisur një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës pas sulmit ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas në tetor të vitit të kaluar, duke vrarë të paktën 44 mijë njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur mbi 104 mijë të tjerë.
Gjenocidi në Gaza, tashmë në vitin e dytë, ka tërhequr një rritje të njohjes ndërkombëtare, me figura dhe institucione që i etiketojnë ngjarjet si një përpjekje e qëllimshme për të shkatërruar një popullsi.
Konflikti është përhapur edhe në Liban, me Izraelin që ka nisur sulme vdekjeprurëse në të gjithë vendin, duke vrarë rreth 3.500 njerëz dhe duke plagosur mbi 14 mijë që nga tetori i vitit të kaluar. Izraeli e zgjeroi konfliktin duke nisur një sulm tokësor në Libanin jugor më 1 tetor të këtij viti./AA