Ushtria izraelite për të dytën ditë vazhdon bastisjet në qytetin e Jeninit dhe kampin e refugjatëve Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Siç raporton agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA, ushtarët izraelitë në qytetin e Jeninit arrestuan shumë palestinezë, përfshirë një grua. Ushtarët izraelitë bastisën shumë shtëpi në kampin e refugjatëve në Jenin dhe morën në pyetje palestinezët që arrestuan.
Ushtria izraelite, e cila vazhdon bastisjet dhe sulmet në ditën e dytë, vendosi përforcime dhe buldozerë ushtarakë në qytet dhe rreth kampit. Buldozerët e ushtrisë izraelite shkatërruan linjat e energjisë elektrike në qytetin e Jeninit, duke shkaktuar ndërprerje të plotë të energjisë elektrike.
Në kampin e refugjatëve në Jenin, ushtarët izraelitë shndërruan disa shtëpi në kazerma, veçanërisht në lagjet Abdullah Azzam dhe Jevret ez-Zeheb ndërsa dronët e ushtrisë izraelite vazhduan të fluturonin mbi kamp.
Ushtria izraelite shkatërroi disa pjesë të stadiumit komunal në lagjen Sharqiyya të qytetit Jenin ndërsa shkatërroi plotësisht rrugën Al-Medaris me buldozerë. Të paktën 5 palestinezë u vranë në qytetin Jenin dhe kampin e refugjatëve Jenin, ku Izraeli ka vazhduar bastisjet që nga mëngjesi i djeshëm.
Guvernatori i Jeninit, Kemal Abu Rubb, në deklaratën për Anadolu tha se Izraeli po përpiqet të zgjerojë rrethin e dhunës në Rripin e Gazës drejt Bregut Perëndimor.
Ai theksoi se qyteti i Jeninit, kampi i refugjatëve dhe vendbanimi Kabatiyah ishin shënjestër e sulmeve izraelite 15 herë radhazi dhe infrastruktura u shkatërrua nga ushtria izraelite.
Që nga 7 tetori 2023, kur Izraeli filloi sulmet në Rripin e Gazës, ka patur rritje të arrestimeve, bastisjeve dhe sulmeve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor./AA