Islamofobi Agim Nesho: “Jam Mysliman”, libër që e ngre Ben Blushin

Ish-ambasadori islamofob Agim Nesho ka bërë së fundmi një vlerësim publik për romanin Jam Mysliman të Ben Blushi, duke e cilësuar atë si një vepër të rëndësishme që trajton përplasjen e qytetërimeve dhe sfidat e shoqërisë moderne.

Në analizën e tij, islamofobi Nesho e paraqet librin si një reflektim mbi frikën mes komuniteteve fetare dhe rrezikun që vjen nga instrumentalizimi politik i fesë, veçanërisht i Islamit politik. Ai vlerëson edhe dallimin që autori bën mes besimit dhe ideologjisë, duke theksuar se shoqëria duhet të çlirohet nga normat e vjetra fetare për të ecur drejt emancipimit.

Sepse pas këtij formulimi të kujdesshëm, shumëkush sheh rikthimin e një narrative të njohur: trajtimin e Islamit dhe identitetit mysliman si një problem që duhet kontrolluar për hir të modernitetit. Një qasje që, kalon kufirin nga analiza letrare në islamofobi të rafinuar.

Kur një roman me titull “Jam Mysliman” nuk lexohet si reflektim mbi identitetin, por si një sinjal alarmi për rrezikun e fesë në hapësirën publike, atëherë nuk kemi më thjesht kritikë por një interpretim që vendos në shënjestër një identitet të tërë.

Kritika bëhet edhe më e fortë për shkak të standardit të dyfishtë, ndërsa Islami trajtohet si burim tensioni dhe si fenomen që duhet “menaxhuar”, mungon e njëjta ndjeshmëri ndaj ndikimeve të tjera fetaro-politike në rajon.

Ndërkohë, Ben Blushi është kritikuar prej kohësh për mënyrën si e trajton Islamin në veprat e tij, shpesh duke e paraqitur si barrë historike për identitetin shqiptar.

Statusi i Agim Neshos:

Nuk ka Profet ne vendin e tij

Lexova librin e Ben Blushit “Jam Mysliman”, një libër që e ngre autorin në një nivel të lartë të letërsisë botërore, ku cështjet kryesore të zhvillimit të shoqërisë njerëzore trajtohen me penën e aftë dhe mendimet e qarta në Shqipërinë e ditëve tona.

Duke qenë një shkrimtar i formuar me kulturë të gjerë dhe një penë të shkëlqyer që di të portretizojë personazhet e jetës me mendimet, emocionet, besimet e tyre të cilat në kohën tonë formohen dhe përpunohen lehtësisht nga rrjetet sociale, ideologjia, feja dhe manipulohet nga institucionet dhe njerëzit që kërkojnë pushtet.

I formuar për të ngritur debatin në nivel filozofik, i aftë dhe provokues për të ngritur problematikën e mendimeve të kundërta dhe guximtar për të gjetur zgjidhje ndoshta për dicka që vetë autori vuan të gjejë të vërtetën, Blushi trajton në libër cështjen e përplasjes së civilizimeve të zhvilluara me kulturë të ndryshme besimi, të cilat shikohen si antagoniste me njëra-tjetrën dhe të papranueshme për tu integruar së bashku. Këtë antagonizëm Blushi e sjell në Tiranë në një shtet multi-fetar, me harmoni midis tyre por me mosbesim dhe frikë nga shoqëria, se njëra prej tyre duke respektuar institucionet e saj (sheriatin) mund të prishë balancat, të rrezikojë të ardhmen e tyre perëndimore (mospranimi i luftës së Skënderbeut në mbrojtje të civilizimit perëndimor) duke e kthyer vendin drejt një shoqërie primitive dhe të errët.

Lufta e deritanishme e Perëndimit, që kërkon të ruajë civilizimin e tij të ngritur mbi bazën e kristianizmit dhe armiqësor në pranimin e grupimeve myslimane, apo mediokriteti i disa të tjerëve për të selektuar dhe zgjedhur komunitetin bektashi si shembull, për të bërë ndryshimin ndaj myslimanëve të tjerë, Blushi jep përgjigjen e tij se myslimanët janë njësoj si pjesa tjetër e shoqërisë, një komunitet i respektueshëm, por është islamizmi politik që krijon ndarjen dhe mospranimin e tyre. Islami politik është luftë, urrejtje, dominim ndërsa myslimanizmi është paqe, vllazërim, kulturë.

Filozofia e Blushit është e qartë që kur instrumentalizohet feja për qëllime politike, justifikim të pushteteve teokratike, bota do të pësojë regres si në kohën e inkuizicioneve kristiane ashtu edhe islamit politik. Blushi shqetësohet kur shikon regresin e Shqipërisë që për hir të besimit tjetërsohen disa vlera të shoqërisë që do ta largojnë atë gjithmonë e më shumë nga progresi dhe e ardhmja. Ai insiston që shoqëria moderne nuk mund të mbetet peng e normave dhe traditës fetare, por duhet të bazohet në normat e reja që i ka pranuar zhvillimi social e kulturor i shoqërisë që duhet të jetë “feja jonë e re”.

Blushi, me romanin “Jam Mysliman”, vazhdon të mbetet shkrimtari më i mirë shqiptar pas viteve ’90, por futet dhe në grupin e shkrimtarëve botërore duke lartësuar letërsinë shqiptare./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne