Historiani Olsi Jazexhi tha në MCN Live se lufta që po bëhet në këto momente mes Iranit dhe Izraelit, ose do mbyllet me negociata pse Tehrani s’pushtohet dot, përveçse nëse përdoret bomba atomike, ose opsioni tjetër do ishte që myslimanët të çlironin Izraelin dhe t’i jepnin fund shtetit të Izraelit dhe ta kthenin në demokraci. Sipas Jazexhiut ajo që po shohim sot është ndoshta fillimi i një lufte të tretë botërore, nëse do përfshihet Rusia dhe Kina. Jazexhiu thotë që sulmi i SHBA-ve ndaj Iranit erdhi si pasojë e presionit të Netanjahut, që Uashingtoni të kishte një justifikim për të hyrë zyrtarisht në luftë me Tehranin.
“Ndryshimi erdhi si pasojë e presionit të Netanjahut ndaj qeverisë amerikane. Lufta që Izraeli ka bërë deri në këto momente ka qenë lufta e SHBA-së, sepse shteti i Izraelit është një shtet i vogël, dhe Izraeli përballë Iranit, qëndron si Shqipëria kundër Spanjës dhe Francës. Izraeli që prej krijimit është kthyer në luftanije të imperializmit anglo-amerikan në Lindjen e Mesme, që është një garnizon ushtarak, avionët janë amerikanë, buxheti dhe spiunazhi, janë amerikanë.
Lufta lindi në bashkëpunim të plotë me amerikanët. Dje amerikanët ndërhynë drejtpërdrejtë duke bombarduar centralet atomike, që Irani të kundërsulmojë amerikanët, për të patur justifikimit për të hyrë zyrtarisht në luftë me Iranin. Izraelit kjo luftë s’po i shkon mirë, sepse Irani është i madh dhe Izraeli s’mban dot luftën shkatërrimtare, mes një supershteti si Irani dhe një mini shteti si Izraeli”.
I pyetur çfarë mund të presim nga Irani, ai u shpreh:
“Sikur tregojnë burimet iraniane, Irani ka hequr materialin nuklear nga stacionet nukleare ditë më herët. Shumë media iraniane tregojnë që bombardimi ka qenë i kotë. Nuk ka vend të vetëm arab që s’është bombarduar nga Izraeli. Izraeli është shteti kryesor i financimit të terrorizmit në Lindjen e Mesme, duke financuar grupe që nga ISIS te Al-Kaeda, grupe kurde, apo muxhahedinët iraninë që strehon Shqipëria. Netanjahu kërkon që Irani të përfundoi si Libia, ai tha troç. Skenari libian nënkupton vrasjen e udhëheqjes, vjedhjen e Iranit, vrasjen e iranianëve.
Bota islamike lutet që Irani të triumfojë nga kjo luftë dhe të dali triumfues. Ajo që po shohim sot është ndoshta fillimi i një lufte të tretë botërore, mbetet të shihet nëse Rusia dhe Kina do hyjnë ushtarakisht, a do ta mbështesin Iranin. Nuk është se Irani ka bombë atomike, sepse do ta kishte hedhur kundër Izraelit. Lufta bëhet sepse kërkohet ndryshim regjimi.
Kanë projekte për ta copëtuar Iranin, ngaqë s’duan që myslimanët të kenë shtete të mëdha dhe të jenë zotër të vetes së tyre. Lufta që po bëhet në këto momente, ose do mbyllet me negociata, sepse ushtarakisht Irani s’pushtohet dot, vetëm po hodhën bombën atomike, dhe opsioni tjetër do ishte që myslimanët të çlironin Izraelin dhe t’i jepnin fund shtetit të Izraelit dhe ta kthenin në demokraci”.
Jazexhi mendon që sulmi kibernetik në Shqipëri, që i adresohet Iranit, mund të jetë bërë nga Izraeli.
“Shqipëria është bërë vend strehues i terrorizmit. Nga ku janë lëshuar sulme ndaj bashkisë së Tehranit, sistemit të trenave, popullit i bëhej thirrje për rrëzimin e regjimit. As Meta, as Rama s’na është përgjigjur se përse ishin organizuar sulme kibernetike nga Shqipëria në Iran. Hipoteza ime është që sulmin kibernetik në Shqipëri mund ta ketë bërë Izraeli. Kush përfitoi? Izraeli, sepse Rama mbylli ambasadën dhe dëboi iranianët. Kush përfitoi financiarisht? Izraeli. Rama u dha një buxhet miliona dollarësh Izraelit dhe u dha gjithë databazën tonë shtetërore. Rama ia dha gjithë sistemin tonë kibernetik atyre”.