Izrael, ministri Ben-Gvir kërkon mbajtjen e kompleksit Al-Aksa të hapur për hebrenjtë 24/7

Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, ka bërë thirrje për lejimin e kolonëve hebrej në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar gjatë gjithë kohës,

Sipas Departamentit të Vakëfit Islamik, mbi 500 kolonë hynë në kompleksin e xhamisë në ditën e katërt të festës hebraike ‘Sukkot’.

‘Sukkot’ është një festë 1-javore, e cila filloi më 29 shtator dhe do të vazhdojë deri më 6 tetor, duke i dhënë fund një sezoni festash hebraike që nisi më 15 shtator.

Gazeta ‘Haaretz’ citoi pjesë nga një letër e dërguar nga Ben-Gvir për ligjvënësit e krahut të djathtë në parlamentin izraelit (Knesset), që kërkonte qasje të hapur dhe të lirë për kolonët izraelitë në Xhaminë Al-Aksa.

Në letër, Ben-Gvir i bëri thirrje kabinetit izraelit të sigurisë që të mblidhet menjëherë për të konsideruar “hapjen e Malit të Tempullit (Xhamisë Al-Aksa) për hebrenjtë 24/7”.

Ministri i ekstremit të djathtë shprehu shpresën se propozimi i tij do të mbështetet nga ministrat e Partisë së Zionizmit Fetar të krahut të djathtë të ministrit të Financave, Bezalel Smotrich.

Policia izraelite filloi të lejojë inkursionet e kolonëve në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në vitin 2003, pavarësisht kundërshtimeve të përsëritura nga palestinezët.

Aktualisht, kolonët lejohen të hyjnë në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në dy turne, në mëngjes dhe në mbrëmje, përveç të premteve dhe të shtunave.

Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët, ndërsa hebrenjtë këtë zonë e quajnë Mali i Tempullit duke pretenduar se në kohët e lashta ishte vendi i dy tempujve hebrenj.

Gjatë Luftës Arabo-Izraelite në vitin 1967, Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku dhe ndodhet Al-Aksa. Ajo aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, një lëvizje që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne