Miron Çako*
Shteti i Izraelit është një vend i cili shtrihet në Azinë Perëndimore dhe kufizohet në veri me Libanin, me Sirinë në verilindje, me Jordaninë në lindje, me Detin e Kuq në jug, me Egjiptin në jugperëndim, me Detin Mesdhe në perëndim, me territoret palestineze në bregun Perëndimor në lindje dhe me Rripin e Gazës përgjatë jugperëndimit.
Tel Aviv është qendra ekonomike dhe teknologjike e vendit, ndërsa selia e qeverisë është në kryeqytetin e shpallur të Jerusalemit. Vetë Izraeli është një popull dhe një komb me histori shumë të lashtë. Bibla është vendi më i mirë ku mund të gjejmë historikun e fillimit dhe të fundit të këtij populli të veçantë, një popull i cili ka ndikuar dhe ndikon në historinë e njerëzimit deri në ditët e sotme, e madje deri në fundin e botës. Bibla na informon se njerëzimi mbas përmbytjes së Noes u nda në tre degëzime sipas bijve të Noes: të Semit, Kami dhe Jafetit (Zanafilla 9-18).
Këto janë tre burimet e njerëzimit mbas përmbytjes të cilët flisnin një gjuhë të vetme. Popujt u krijuan sipas gjuhëve të ndryshme nga mallkimi që bëri Perëndia gjatë ngjarjes së kullës së Babelit (Zanafilla 11.1-9), afërsisht në shekullin 16-17 pas Adamit.
Ndërsa Izraeli si popull u krijua më vonë në një mënyrë të veçantë nga Providenca Hyjnore për shpëtimin e botës. Bibla na thotë se Noeu mallkoi Kamin që donte të shikonte lakuriqësinë e Noes (incest) dhe bekoj Semin dhe Jafetin duke thënë: “I mallkuar qoftë Kami! Ai qoftë shërbëtor i vëllezërve të tij!”, pastaj ai tha: “I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Semit dhe Kami të jetë shërbëtor i tij” (Zanafilla 9-25). Prej Semit rrjedh populli i semit, ku një prej familjeve ajo e Eberit shtriheshin në Mesopotami. Bibla na thotë që nga fisi i Eberit vinte edhe Terahua, ati i Abrahamit, që jetonte në Ur të Kaldeasve (Zanafilla 11 15-28). Abrahami (2166-1991 pr. K.) ndryshe nga familja e tij besonte në një Perëndi, prandaj Zoti e zgjedh nga njerëzit e familjes së tij dhe i thotë se do ta bëj një popull të madh dhe në të do “të jenë të bekuar gjithë familjet e tokës” (Zanafilla 12 1-4).
Bibla gjithashtu na thotë që Abrahami u nis nga Harani dhe vajti në vendin e kananeasve (Zanafilla 12 5-6), vendi në të cilën banonin edhe familjet që vinin nga Kami, i cili ishte djali i mallkuar prej Noeut dhe që quheshin kananitë. Zoti i shfaqet përsëri Abrahamit dhe i thotë: “Unë do t’ja jap këtë vend pasardhësve të tu”. Atëherë, Abrahami i ndërtoi aty një altar Zotit që i ishte shfaqur (Zanafilla 12 -7). Abrahami i besoj Perëndisë edhe kjo ju quajt për drejtësi (Zanafilla 15-6).
Abrahamit i lindi Isaku dhe nga Isaku (2056-1886 pr.K.) lindi Jakovi dhe Jakovit i lindën 12 djem. Nga Jakovi (2006-1859 pr. K.) dhe 12 djemtë e tij vjen edhe populli i hebrenjve ose e thënë ndryshe populli i Izraelit.
Sipas Biblës, emri Izrael vjen nga Perëndia që do të thotë “Luftova me Perëndinë dhe fitova”. Ky emër ju vendos Jakovit nga një engjëll, i cili tha: “Emri yt nuk do të jetë më Jakov, por Izrael, sepse ti ke luftuar bashkë me Perëndinë dhe me njerëzit, dhe ke fituar” (Zanafilla 32-28). Ky emër tregon karakterin vital të këtij populli të ri, i cili nga 70 frymë (Zanafilla 46-27) kur emigruan në Egjipt në 1876 pr. K. do të rritej dhe do të shumohej sa rëra e detit dhe yjet e qiellit. Gjithashtu, do të fitonte në luftërat për vendbanim me popujt e tjerë, duke shpopulluar dhe zhdukur shumë prej tyre. Por, ai do rreket edhe me vetë Zotin. Megjithatë, Izraeli edhe pse do të rebelohej kundra Perëndisë, përsëri Perëndia nuk do hiqte dorë prej këtij populli që cilësohet “popull me qafë të fortë” (Eksodi 32-9). Emri Izrael do të thotë edhe “Perëndia sundon”, ose “Princi i Perëndisë”.
Rreth 430 vjet, Izraeli qëndroi edhe u shtua në Egjipt, ndërkohë egjiptianët i kishin frikë dhe donin ti asimilonin por nuk mundën sepse Perëndia i mbronte. Madje tek Eksodi 4-22 lexojmë të thuhet: “Kështu thotë Zoti: Izraeli është biri im, i parëlinduri im”. I udhëhequr nga Moisiu (1526—1406) Izraeli doli nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë në vitin 1446 pr.K, ku izraelitët numëroheshin rreth gjashtëqind mijë njerëz, pa llogaritur fëmijët (Eksodi 12 37-38). Kaluan Detin e Kuq duke ecur në tokë të thatë (Eksodi 14-21-22) dhe arritën në këmbë tek mali Sina (Eksodi 19-1). Aty Zoti Perëndi ju shfaq popullit (Eksodi 10-20) dhe i foli atij, madje aty i dha edhe dekalogun, 10 porositë, të shkruara me gishtin e Perëndisë në dy rrasa guri (Eksodi 20 1-26).
Pas kësaj, Izraeli u bë tmerr për popujt e shkretëtirës duke i pushtuar dhe shpopulluar (Numrat 21 1-3) ( 21-35) dhe askush nuk mund ta mposhte atë, sepse për atë luftonte Zoti dhe engjëjt e Perëndisë. Izraelit i kërkohej vetëm një gjë nga Perëndia, që të besonte vetëm në një Perëndi dhe të zbatonte urdhërimet: “Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm. Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde. Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde” (Ligji i përtërirë 6-6).
Në qoftë se Izraeli do ti bindej Zotit, Ai i premtoi duke i thënë: “Perëndia i kohëve të lashta është streha jote dhe poshtë teje ndodhen krahët e tij të përjetshëm. Ai do ta dëbojë armikun para teje dhe do të thotë: Shkatërroje! Atëherë Izraeli do ta ndiejë veten të sigurt, në një vend gruri dhe mushti; dhe qielli i tij di të japë vesë. Ti je i lumtur, o Izrael! Kush është barabar me ty, o popull i shpëtuar nga Zoti? Ai është mburoja që të ndihmon dhe shpata e lavdisë sate. Armiqtë e tu do të të nënshtrohen dhe ti do të shkelësh vendet e tyre të larta” (Ligji i Përtërirë 33 ;27-29). Izraeli mundi të pushtoj edhe të përzërë shumë popuj duke ju marrë atyre tokat, shtëpitë edhe pasuritë dhe duke skllavëruar gratë edhe fëmijët e tyre. Gjithashtu, vuri kufijtë e vendit ku shtriheshin dhe banonin më parë popujt pagan si prsh. kananitët, jesubejtë, amorejtë etj. që vinin nga Kami biri i mallkuar i Noes (Zanafilla 9-25).
Pasi Izraeli u shtri në këto vende të Lindjes së Mesme dhe vuri kufijtë e tij, ata i kërkuan Zotit një mbret si të gjithë popujt e tjerë dhe Zoti ua plotësoj kërkesën edhe pse kjo ishte një fyerje për Perëndinë, sepse ai ishte Mbreti i tyre i cili i kishte udhëhequr me gjyqtarët, ashtu siç thuhet tek profeti Samuel: “Na jep një mbret që të na qeverisë”. Prandaj Samueli iu lut Zotit. Dhe Zoti i tha i Samuelit: “Dëgjo zërin e popullit për të gjitha ato që të thotë, sepse ata nuk të kanë hedhur poshtë ty, por kanë hedhur poshtë mua, me qëllim që unë të mos mbretëroj mbi ta. Sillen me ty, ashtu siç kanë bërë gjithnjë nga dita që i nxora nga Egjipti e deri më sot, më kanë braktisur për t’u shërbyer perëndive të tjera. Tani, pra, dëgjo kërkesën e tyre, por lajmëroi solemnisht dhe shpallu të drejtat e mbretit që do të sundojë mbi ta” (Samueli 84- 1-9).
Mbreti i famshëm i Izraelit është Davidi (1011-971 pr. K.) (Psalmi 78-70), që mbretëroi për afro 40 vjet, në vitet 1041-971 pr.K.
Ai pushtoi edhe Jerusalemin, të cilin e bëri kryeqytet të Izraelit. Madje, Perëndia i premtoi atij se froni i tij do të ishte i përjetshëm në Izrael, duke i thënë: “Shtëpia jote dhe mbretëria jote do të bëhen të qëndrueshme përgjithnjë para meje dhe froni yt do të jetë i qëndrueshëm përgjithnjë” (Samuelit 7-16). Ndërsa Solomoni (971-931 pr.K.) biri i Davidit, mbretëroi për 40 vjet dhe ndërtoi tempullin e famshëm prej guri (966-959 prK) mbi kodrën Sion, në vendin ku Abrahami pranoi të sakrifikojë Isakun (Zanafilla 22 1-18).
Për shkak të mëkateve të mbretit Solomon, Izraeli u nda në dy mbretëri në kohën e mbretit Roboam (931-913), atë të Judes (e jugut) dhe atë të Izraelit (e veriut) duke luftuar kundra njëri-tjetrit dhe duke u dobësuar si popull.
Bibla na thotë se izraelitët nuk i qëndruan besnik besimit më Zotin, ata adhuruan perënditë e kombeve dhe nuk i zbatuan porositë e Ligjit, prandaj edhe Zoti ju dërgoi profetët që ti qortonte dhe që të ktheheshin duke ju thënë: “Izraeli rebel u tregua më i drejtë se e pabesa Judë. Shko dhe shpalli këto fjalë në drejtim të veriut, duke u thënë: “Kthehu, o Izrael rebel”, thotë Zoti, “nuk do ta hedh zemërimin tim mbi ju, sepse jam i mëshirshëm”, “dhe nuk mbetem i zemëruar për gjithnjë. Vetëm prano paudhësinë tënde, sepse je rebeluar kundër Zotit, Perëndisë tënd; ua ke shkapërderdhur favoret e tua të huajve poshtë çdo druri të gjelbëruar dhe nuk ke dëgjuar zërin tim” (Jeremia 3-11-12).
Mbretërit sipas fisit të gjenealogjisë nga Davidi bënin mëkate të neveritshme si paganët, kështu nga drejtësia Hyjnore u lejua që Izraeli dhe Juda të pushtoheshin nga paganët. Në vitin (605-586-586 pr. K.) u pushtuan nga mbreti Persë, Nabukodonosori dhe vetë tempulli u shkatërrua dhe për 50 vjet, Izraelitët ishin të internuar në Babiloni. Në 540 pr. K. kemi rikthimin e tyre prej internimit nën drejtimin e Zorobabelit me urdhrin për rindërtimin e tempullit (Ezdra 1-5-3 -13).
Pastaj, kemi pushtimin e Judesë nga Aleksandri i Madh (332 pr K) dhe deri në vitin 165 pr. K. Izraeli ishte i pushtuar dhe drejtohej nga mbretër pagane (grek) deri në momentin kur Juda Makabeu, i biri i Matatias, mposhti ushtrinë siriane dhe çliroi Jerusalemin. Gjithashtu, shenjtëroi tempullin e përdhosur nga Antioku i IV që ndaloi fenë e judenjve dhe përdhosi tempullin me therore kafshësh të papastra edhe vendosi brenda tempullit kultin idhujtar të Zeusit.
Më vonë, përsëri Izraeli pushtohet dhe sundohet nga mbretër grekë derisa pushtohet më në fund nga romakët ku në vitin 63 pr.K Pompeu pushton Romën dhe Izraeli vihet nën sundimin romak. Roma në vitin (40 pr.K) cakton Herodin e Madh, një idumit, të mbretëronte mbi judenjtë. Ai mbretëroi deri në vitin 4 ps. K. Herodi për ti bërë qejfin Judenjve fillon rindërtimin e tempullit në vitin 19 pr. K. Në këtë kohë të mbretërimit të Herodit në Izrael u shfaq Biri dhe Fjala e Perëndisë, Ai erdhi si njeri me emrin Jisu Nazaretasi, i lindur nga një virgjëreshë nga fisi i Davidit, që u ungjillëzua nga engjëlli, i cili i tha: ”Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir përpara Perëndisë. Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t’ia vesh emrin Jisu. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij; dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur” ( Luka 1 30-33).
Zonja Shën Mari, e mbushur me Shpirtin e Shenjtë duke pasur në barkun e saj Birin dhe Fjalën e Perëndisë, Mesian , Mbretin e Izraelit tha për Perëndinë: “Ai e ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet, duke i kujtuar për mëshirën e tij, ashtu si ua pati deklaruar etërve tanë, Abrahamit dhe pasardhësve të tij, për gjithmonë” (Luka 1-54). Po ashtu, profeti Simeon profetizoj për misionin e veçantë të Jisuit dhe i tha Marisë, nënës së Tij: ”Ja, ky është vënë për rënien dhe për ngritjen e shumë vetave në Izrael dhe për të qenë shenjë kundërshtimesh” (Luka 2-24).
Në moshën 30 vjeçare Jisui i shfaqet publikisht popullit si Mesia dhe Mbreti i shumë pritur i Izraelit, Ai bëri mrekulli dhe mësoi popullin si askush tjetër më parë, sa vetë izraelitët çuditeshin dhe thoshnin se askush nuk ka folur si ky, nuk “është parë një gjë e tillë në Izrael”(Mateu 9-23). Izraelitët fatkeqësisht nuk e besuan Mesian, as nuk e pranuan Jisuin si Mbretin e tyre që ishte sipas premtimit nga fisi mbretëror i Davidit, por pranuan si mbret të tyre një pagan, Çezarin e Romës. Kur Pilati i tha judenjve ”Ja mbreti juaj”, ata bërtitën ”Largoje! Largoje! Kryqëzoje!”. Pilati u tha atyre: ”Ta kryqëzoj mbretin tuaj?” Krerët e priftërinjve u përgjigjën: ”Ne s’kemi mbret tjetër përveç Çezarit!” (Joani 19-15).
Krishti i refuzuar nga izraelitët u kryqëzua në kodrën e Golgothasë dhe vdiq si një njeri (Joani 19-17) dhe u ngjall si Perëndi, edhe i gjallë ju shfaqë edhe ju tha nxënësve: ”Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amin” (Mateu 28-18-20).
Krishti nuk erdhi për tu bërë mbret i Izraelit tokësor si një lider politik dhe ushtarak ashtu siç izraelitët e mendonin dhe e dëshironin për ti bërë një popull hegjemon. Ai nuk e pranoj këtë (Joani 18-36) por edhe vetë izraelitët e refuzuan mbretërimin e tij (Marku 15-12-13), kështu mbretëria dhe statusi i Izraelit si popull i zgjedhur nuk ishte më. Zoti Jisu Krisht i kishte paralajmëruar judenjtë duke ju thënë: “Prandaj unë po ju them se juve do t’ju hiqet mbretëria e Perëndisë dhe do t’i jepet një kombi që do ta bëjë të japë fryt (Mateu 21-43).
Krishti erdhi të restaurojë njerëzimin në Veten e Tij, për të krijuar njeriun e ri dhe perandorinë e re të krishterë, ashtu siç kishte profetizuar Isaia: “Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes. Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja mbi fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij, për ta vendosur pa u tundur dhe për ta përforcuar me anë të mençurisë dhe të drejtësisë, tani dhe përjetë. Këtë ka për të bërë zelli i Zotit të ushtrive. Zoti ka dërguar një fjalë kundër Jakobit dhe ajo ka rënë mbi Izraelin” (Isaia 9 5-7). Tashmë Izraeli tokësor dhe izraelitët që refuzuan dhe kryqëzuan Krishtin do të braktiseshin në zgjedhjen e tyre dhe do të mbeteshin nën sundimin e paganëve sepse ata vetë thanë: “Ne kemi mbret Çezarin” (Joani 19-15).
Vetë Krishti i refuzuar profetizoj për fatin e Jerusalemit dhe të gjithë izraelitëve në duart e paganëve duke thënë: “Jerusalem, Jerusalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët! Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë. Sepse unë po ju them, se tani e tutje nuk do të më shihni më deri sa të thoni: “I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! (Mateu 25 37-39).
Madje edhe vetë tempulli kushtuar Perëndisë do të shkatërrohej dhunshëm dhe nuk do të rindërtohej, fakt të cilin vetë Zoti Jisu Krisht e kishte profetizuar: “Tani kur Jisui doli nga tempulli dhe po largohej, dishepujt e tij iu afruan për t’i treguar ndërtesat e tempullit. Por Jisui u tha atyre: ”A nuk i shikoni ju të gjitha këto? Në të vërtetë po ju them se këtu nuk do të mbetet asnjë gur mbi gur që nuk do të rrënohet” (Mateu 1-2).
Profetësia e Krishtit u përmbush sepse në vitet 70, mbas vdekjes së Herod Agripa në vitet 41-44 ps. K. kur Judea vendoset përsëri nën pushtetin e prokuratorit të Romës dhe në vitet 66-73 (Lufta e parë judeo-romake) fillon revolta e judenjve kundër romakëve dhe romakët nën drejtimin e Vespasianit dhe Titit rrethojnë Jerusalemin dhe në vitet 70 shkatërrojnë Jerusalemin edhe Tempullin, ndërsa Izraelitët e mbetur nga masakra i çojë në robëri.
Në vitet 132-135 ps. K. judenjtë nisin një revolt tjetër (lufta e dytë judeo-romake) nga një farë Simon Bar Kokba, që izrelitët e besuan si Mesia por ai u vra dhe Perandori Adrian urdhëroi shkatërrimin e Jerusalemit dhe rindërtimin e tij si një koloni romake me emrin Elia Kapitolia. Pas kësaj, vendi nuk u quajt më Izrael, por u quajt Palestinë dhe judenjve u hiqet e drejta të jetojnë në Jude dhe feja e tyre u ndalua.
Termi “Palestinë” ishte vendosur në shekullin e 5 pr. K. nga historiani i lashtë Herodoti në një vend ku jetonin edhe filistinët dhe mendohej si një koloni greke që nga shekull i 6 pr. K. Palestina, që vinte nga filistinët shënjonte një rajon më të gjerë se ai ku shtrihej Izraeli.
Romakët që donin të zhduknin kujtimin e Izraelit e huazuan nga grekët dhe e quajtën territorin “Siria Palestina”. Gjatë periudhës bizantine u quajt Palestina Prima Palestina, Sekunda dhe Palestina Salutaris. Arabët e quajtën Palestinë dhe vete palestinezët identifikohen kështu që nga fillimi i shekullit të 20-të.
Nxënësit e Krishtit të cilët si judenjë kishin ndikime nacionaliste i kërkuan Krishtit: “Zot, a do ta rivendosësh në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?”. Por ai u tha atyre: “Nuk ju takon juve të dini kohët dhe momentet e përshtatshme, që ka përcaktuar Ati me autoritetin e vet. Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut. Mbasi i tha këto gjëra, ndërsa ata po e vështronin, u ngrit lart; dhe një re e përfshiu dhe ua hoqi prej syve të tyre. Dhe, si ata po i mbanin sytë e ngulitur në qiell, ndërsa ai po largohej, ja dy burra në rroba të bardha iu paraqitën atyre, dhe thanë: “Burra Galileas, pse qëndroni e shikoni drejt qiellit? Ky Jisu, që u është marrë në qiell nga mesi juaj, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë të shkojë në qiell”(Vep.1,6-11)
Tashmë nxënësit e Krishtit me prejardhje nga Izraeli duhet të çliroheshin nga çdo ndjenjë nacionaliste përjashtuese dhe armiqësore për kombet dhe me urdhër të Krishtit të shkonin të mësonin kombet dhe ti pagëzonin në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë që të krijonin popullin e ri të Zotit, Izraelin e ri Kishën Apostolike, popullin e krishterë , ku nuk ka më grekë edhe judenj (Galatasve 3-28). Ky ishte plani i Perëndisë për shpëtimin e botës në Krishtin ashtu si i ishte Premtuar Abrahamit, atit të besimtarëve: “në farën tënde do bekohen gjithë fiset e botës”(Zanafilla 22-18). Kurse fati i Izraelit, që mohoi Mesian do të vazhdonte të ishte nën sundimin e kombeve.
Mbas pushtimit romak, në luftë e parë edhe të dytë Judeo-Romake, kemi emigracionin masiv. Judenjtë shpërndahen nëpër botë dhe krijojnë komunitet e tyre izraelite të diasporës ashtu si kishte profetizuar Krishti “Dhe ata do të bien nga tehu i shpatës, do t’i çojnë robër ndër të gjitha kombet, dhe Jerusalemin do ta shkelin paganët, derisa të plotësohen kohët e paganëve”(Luka 21:24). Toka e Izraelit që quhej tashmë Palestinë ju shit popujve fqinjë arabë edhe të ardhurve nga vende të botës pagane.
Me ardhjen e Kostandinit të Madh në pushtet dhe mbas vitit 313 me Ediktin e Milanit dhe ndërtimin e bazilikës së Ngjalljes në Golgotha dhe në varrin e Krishtit, Jerusalemi filloi të popullohej nga të krishterët dhe më vonë qeverisej nga Perandoria Bizantine deri në viti 628 shekulli i 7.
Në kohën e Perandorit Juljan apostatit u bë tentativë për ta rindërtuar tempullin por nuk u lejua nga një fatkeqësi mbinatyrore. Në mesin e shekullit 7 deri në shekullin 16 Jerusalemi pushtohet nga myslimanët dhe kalifatet Umajad , Abbasid, Fatimid dhe më pas nga dinastitë e Selxhuk Ejubid. Në shekullin e 8 Kalifi Omar ndërtoi një xhami të madhe mbi rrënojat e Tempullit dhe u quajte xhamia e Omarit apo Alaksa, që është edhe sot e kësaj ditë më e rëndësishmja për botën myslimane pas Mekës.
Në vitin 1516 rajoni u pushtua nga Perandoria Osmane dhe vazhdoi të sundohej si pjesë e Sirisë osmane. Që nga ekzistenca e diasporës më të hershme çifute, shumë hebrenj kanë aspiruar të kthehen në “Sion” dhe “Tokën e Izraelit”. Popullsia hebreje e Palestinës që nga fillimi i sundimit osman deri në fillimin e lëvizjes sioniste, e njohur si “Yishuv” i Vjetër, përbënte një pakicë të popullsisë që kryesisht ishte myslimane dhe e krishterë.
Në vitin 1917, gjatë Luftës së Parë Botërore filloi një përpjekje nga diaspora, me mbështetje edhe nga britanikët, që të riformohej shteti Izraelit. Në vitin 1922 Lidhja e Kombeve i dha Britanisë Mandatin për Palestinën sipas kushteve që përfshinin Deklaratën Balfour me premtimin e saj për hebrenjtë që përbënin vetëm 11 % , me dispozita të ngjashme në lidhje me palestinezët arabë.
Lufta e dytë botërore (1940-1945) ishte një goditje përfundimtare që u bë për asimilimin e hebrenjve me holokaustin ku u shfarosën 6 milion hebrenj.
Më 14 maj 1948, një ditë para skadimit të mandatit britanik, David Ben-Gurion, kreu i Agjencisë Hebraike, deklaroi “krijimin e një shteti hebre në Eretz-Izrael, të njohur si Shteti i Izraelit. Ky vendim u kundërshtua dhe u pa si rrezik për vendet arabe duke nisur luftën Arabo-Izraelite e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite pavarësisht periudhave paqësore të brishta.
Kështu që nga viti 1948 mbaroi koha e kombeve dhe Izraelitët qeverisin shtetin e tyre të cilin kërkonin ta shtrinin në tokat e pushtuara që nga koha e romake, e gjithë kjo ishte profetizuar në Bibël. Apostull i kombeve Pavli sqaron kombet për çështjen e Izraelit: “Sepse nuk dua, o vëllezër, që ju të jeni të paditur këtë të fshehtë që të mos mbaheni me të madh në veten tuaj se i ka ndodhur një ngurtësim një pjese të Izraelit deri sa të ketë hyrë tërësia e jo hebrenjve dhe kështu mbarë Izraeli do të shpëtohet, sikurse është shkruar: “Nga Sioni do të vijë Çlirimtari, dhe do të largojë pabesinë nga Jakobi. Dhe kjo do të jetë besëlidhja ime me ta, kur unë t’ju heq mëkatet e tyre”. Për sa i përket ungjillit ata janë armiq për hirin tuaj, por për sa i përket zgjedhjes, janë të dashur për hir të etërve, sepse dhuntitë dhe thirrja e Perëndisë janë të pakthyeshme”.
Izraelitët që nga viti 1948 duan ti kthejnë Jerusalemit lavdinë e dikurshme dhe duan të rindërtojnë Tempullin e Solomonit. Izraeli është një shtet etno–religjos dhe nuk mund të funksionojë pa tempullin dhe shërbesat fetare që duhen të kryen vetëm aty sipas Ligjit Mozaik. Izraelitët të gjitha profecitë i shohin në kontekstin material dhe fizik kështu përpiqen të rindërtojnë Izraelin si një parajsë tokësore dhe të krijojnë kushtet fetare, gjeo-politike,ushtarake që të shfaqet Mesia i tyre, një lider me fuqi hyjnore, një ndërmjetës mes Perëndisë edhe popullit, një mbret dhe politikan i suksesshëm që do ti japi Izraelit lavdinë e kohës së mbretit David dhe të Solomonit, ku popujt ishin vasal dhe paguanin tek Izraeli një taksë vjetore 666 talanda ari.
Izraelitet presin që të vijë Mesia sepse nuk mund të ketë triumf pa ardhur Mesia. Ata përsëri po gabojnë duke mohuar Krishtin si Mesian e tyre dhe duke e quajtur sot një gënjeshtar. Ata presin Mesian e rremë, antikrishtin që do jetë nga fisi izraelit i Danit. Vetë Krishti i paralajmëroi: “Unë kam ardhur në emër të Atit tim dhe ju nuk më pranoni; po të vinte ndonjë tjetër në emër të vet, ju do ta pranonit”(Joani 5-43).
Mesia i rremë, Antikrishti do sundoj për një periudhë të shkurtër 7 vjeçare siç profetizohet në Bibël: “Ai do të lidhë gjithashtu një besëlidhje me shumë njerëz për një javë, por në mes të javës do t’i japë fund flijimit dhe blatimit; dhe mbi krahët e veprimeve të neveritshme do të vijë një shkatërrues, deri sa shkatërrimi i plotë, që është dekretuar, do të bjerë mbi shkatërruesin”(Dan 9,20-27). Antikrishti do të sundojë Izraelin edhe botën duke realizuar ëndrrën e izraelitëve fanatik që të jenë sundimtarët e kombeve. “Dhe iu dha t’u bëjë luftë kundër shenjtorëve dhe t’i mundë; dhe iu dha pushtet mbi çdo fis, gjuhë dhe komb”(Zbulesa 13-7).
Antikrishti do të jetë mbreti më i ligë që ka njohur Izraeli edhe bota, sepse brenda tij do të qëndrojë vetë satanai, ashtu si na thuhet në Bibël: “Ardhja e atij të paudhi do të bëhet me anë të veprimit të Satanit, bashkë me çudira, shenja dhe mrekulli të rreme, dhe nga çdo mashtrim ligësie për ata që humbin, sepse nuk pranuan ta duan të vërtetën për të qenë të shpëtuar. E prandaj Perëndia do t’u dërgojë atyre një gënjim që do t’i bëjë të gabojnë, që t’i besojnë gënjeshtrës, që të dënohen të gjithë ata që nuk i besuan së vërtetës, por përqafuan ligësinë!”(Thes. 27-13).
Antikrishti do t’i japë fund kultit të Izraelit në tempull, fesë mozaike dhe do t’i detyrojë të gjithë të bien në idhujtari, duke ju falur atij dhe statujës së tij, ashtu si është profetizuar: “Askush të mos ju gënjejë kurrsesi, sepse ajo ditë nuk do të vijë, pa ardhur më parë rënia dhe pa u shfaqur njeriu i mëkatit, i biri i humbjes, kundërshtari, ai që lartëson veten mbi çdo gjë që quhet perëndi ose objekt adhurimi, aq sa të shkojë e të rrijë në tempullin e Perëndisë si Perëndi, duke e paraqitur veten se është Perëndi. A nuk ju bie ndër mend se, kur isha akoma ndër ju, jua thoja këto gjëra”(2Thes.2,3-5).
Ai do ti nënshtrojë njerëzit dhe do ti matrikojë digjitalisht, ashtu si na profetizohet tek Zbulesa: “Veç kësaj bëri që të gjithëve, të vegjël e të mëdhenj, dhe të pasur dhe të varfër, dhe të lirë dhe skllevër, t’u vihet një damkë mbi dorën e tyre të djathtë ose mbi ballin e tyre, dhe që askush të mos mund të blinte ose të shiste, po të mos kishte damkën ose emrin e bishës ose numrin e emrit të saj. Këtu është urtia. Ai që ka mend, le të bëjë llogari numrin e bishës, sepse është numër njeriu; dhe numri i tij është gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë” (Zb.13;6-10).
Pastaj do të vijë koha e apostazisë të Izraelit kundër antikrishtit dhe përndjekja e madhe kundër vetë atyre. Për këtë arsye kjo periudhë quhet apostazia ose ngushtica e madhe. Ai përbëhet nga një gjysmë e javës (Dan 9,27) d.m.th. 42 muaj (Zb.13,5). Kjo periudhë karakterizohet nga lëshimi i zemërimit të Perëndisë mbi botën fajtore, si edhe mbi kombin fajtor të Izraelit që i besuan antikrishtit dhe mohuan Krishtin dhe mbi të gjithë ata që pranuan vulosjen. “Atëherë engjëlli e lëshoi draprin e tij mbi tokë dhe voli vreshtin e dheut dhe hodhi rrushin në vozën e madhe të zemërimit të Perëndisë. Dhe voza u shtrydh jashtë qytetit dhe nga voza doli gjak deri te frerët e kuajve, për njëmijë e gjashtëqind stade”(Zbulesa 14,20).
Pikërisht në këtë moment kur gjithçka duket se është e humbur për Izraelin dhe për botën nën sundimin e antikrishtit, Mesia Krishti i vërtetë do të ndërhyjë nga qiejt për të shpëtuar Izraelin dhe kombet nga mashtrimi dhe tirania eusforike e antikrishtit: “Të cilin Zoti do ta shkatërroj me hukatjen e gojës së tij dhe do ta asgjësoj me të dukurin e ardhjes së tij”(1Thes.2-8).
Në këto ngjarje eskatologjike mbaron koha e Izraelit dhe e gjithë kombeve dhe bëhet gjyqi i madh nga Krishti si Mbreti i qiellit dhe i dheut dhe gjykatës me drejtësi: “Sepse Ati nuk gjykon asnjë por gjithë gjyqin ja dha Birit… sepse është Bir i njeriut (Joani 5,22-27)
Cilido njeri “do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij: jetë të përjetshme atyre që kërkojnë lavdi, nder e pavdekësi, duke ngulmuar në veprat e mira; ndërsa atyre që kundërshtojnë e nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, indinjatë dhe zemërim. Mundim dhe ankth mbi çdo shpirt njeriu që bën të ligën, Judeut më parë e pastaj Grekut; por lavdi, nder e paqe cilitdo që bën të mirën, Judeut më parë e pastaj Grekut”(Rom.2,6-10).
Gjykimi do të bëhet në Jerusalem në luginë e Kedonit kur të zbresë në malin e ullinjve për herë të dytë andej nga ku u ngjit me lavdi (Vep.1-11). Tek profeti Zakaria thuhet: “Ja, po vjen dita e Zotit… Atë ditë këmbët e tij do të ndalen sipër malit të Ullinjve që ndodhet përballë Jerusalemit, në lindje, dhe mali i Ullinjve do të çahet në mes, nga lindja në perëndim, duke krijuar kështu një luginë të madhe; gjysma e malit do të tërhiqet drejt veriut dhe gjysma tjetër drejt jugut… Do të jetë një ditë unikale, që njihet nga Zoti; nuk do të jetë as ditë as natë, por aty nga mbrëmja do të ketë dritë… Zoti do të jetë mbret mbi gjithë dheun; atë ditë do të jetë vetëm Zoti dhe vetëm emri i tij”. Në ungjill lexojmë: “Dhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, bashkë me të gjithë engjëjt e shenjtë, atëherë do të ulet mbi fronin e lavdisë së vet. Dhe të gjithë kombet do të mblidhen para tij; dhe ai do ta ndajë njërin nga tjetri ashtu si i ndan bariu delet nga cjeptë.” (Mateu 25,31-32).
Mbasi të gjykojë të gjithë, për ti dhënë gjithë secilit “sipas veprave që ka bërë” (Zbulesa 22,12), Zoti Krisht do të sjelli mbretërinë e Perëndisë në tokë si në qiell, dhe në tokën e ripërtërirë dhe të shenjtëruar do ta banojnë shenjtorët edhe të drejtët ku nuk do të ketë më ndasi kombesh edhe gjuhësh por të gjithë do të quhen populli i Zotit, me qendër Jerusalemin qiellor që do zbresë nga qielli. “Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar, dhe deti nuk ishte më. Dhe unë, Gjoni, pashë qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, që zbriste nga qielli, nga Perëndia, që ishte bërë gati si nuse e stolisur për burrin e vet. Dhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: “Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi e tyre. Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.” Dhe ai që rrinte mbi fron tha: “Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja.” Dhe më tha: “Shkruaj, sepse këto fjalë janë të vërteta dhe besnike.” (Zb.21,1-5)
Kështu mbaron sipas Biblës historia e Izraelit dhe e kombeve. Amin. / marre nga profili ne FB i autorit
* Teolog prane Kishes Orthodhokse Autoqefale te Shqiperise