Izraeli lehtëson procedurat për dëbimin e palestinezëve

I miratuar nga komiteti i ligjeve të qeverisë izraelite, ligji në fjalë do ti njohë qeverisë mundësinë që të anulojë lejet e qëndrimit të palestinezëve dhe sirianëve që jetojnë e punojnë me leje në lagjet e Jerusalemit Lindor dhe Lartësitë e Golanit për “veprimtari kundër Izraelit dhe pabesi ndaj shtetit hebre”, si dhe dëbimin e tyre.

Palestinezëve në Jerusalemin Lindor dhe sirianëve në Lartësitë e Golanit, të cilat Izraeli i mban të pushtuara, shteti hebre nuk u njeh të drejtën e nënshtetësisë izraelite, por i lejon ata të jetojnë këtu duke u dhënë leje qëndrimi.

Për të hyrë në fuqi, projektligji duhet të kalojë nga parlamenti izraelit, Knesset.

Salih Rafet, anëtar i Komitetit Qendror Ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP) përmes një deklarate me shkrim e ka cilësuar projektligjin në fjalë si vazhdim i “politikës raciste të Izraelit”.

“Qeveria okupatore izraelite, me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara dhe me ligjet raciste që nxjerr në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare dhe vlerat humanitare, po përdor të gjitha rrugët për likuidimin e kauzës palestineze dhe për të dëbuar njerëzit nga tokat dhe shtëpitë e tyre”, u shpreh Rafet.

Shtatorin e kaluar Gjykata e Lartë Izraelite kishte prishur vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Izraelit për anulimin e lejeve të qëndrimit për 4 deputetë të Parlamentit Palestinez me banim në Jerusalemin Lindor me akuzën se “kishin lidhje me Hamasin”. Në vendimin e saj Gjykata kishte diktuar bërjen e ndryshimeve në ligjin për lëshimin e lejeve të qëndrimit, për ta bërë të mundshëm kështu zbatimin e vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Menjëherë pas kësaj Ministria e Brendshme e Izraelit nisi punën për hartimin e një projektligji të ri në kuadër të vendimit të gjykatës.

Sipas të dhënave që ka bërë publike administratës palestineze, që nga pushtimi i 1967-ës e këtej Izraeli ka anuluar lejet e qëndrimit për 14 mijë e 500 palestinezë me banim në Jerusalemin Lindor./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne