Izraeli po bëhet gati të ndalojë anijen e ndihmave “Madleen” përpara se të hyjë në ujërat e Gazës

Marina izraelite po përgatitet të ndalojë anijen humanitare “Madleen” ndërsa ajo i afrohet ujërave të Gazës, duke planifikuar ta devijojë me forcë drejt portit të Ashdodit, raportoi të dielën kanali izraelit Channel 12. Sipas raportit, ushtria synon ta ndalojë anijen përpara se të hyjë në ujërat territoriale të Gazës, duke u mbështetur në zbatimin e bllokadës detare. Aktivistët në bord do t’i dorëzohen autoriteteve izraelite për deportim. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka urdhëruar ushtrinë të parandalojë çdo përpjekje të anijes për të arritur Gazën. Operacioni vjen pas deklaratave të mëparshme të Izraelit për ta ndaluar anijen, nga frika se mund të krijojë një precedent për përpjekje të ardhshme për thyerjen e bllokadës.

Channel 12 raportoi gjithashtu se, për shkak të vëmendjes ndërkombëtare që ka marrë anija “Madleen”, çdo veprim i Izraelit për trajtimin e saj do të shpërndahet në rrjetet sociale. Ndërkohë, Komiteti Ndërkombëtar për Thyerjen e Rrethimit të Gazës deklaroi të dielën se Izraeli po përpiqet të bllokojë sinjalin dhe vendndodhjen e anijes. “Duket se Izraeli po pengon sinjalin dhe vendndodhjen e kolegëve tanë në bordin e ‘Madleen’-it”, thuhej në deklaratë. “Kjo është serioze… Do t’ju mbajmë të informuar.” Komiteti publikoi gjithashtu një link elektronik për ndjekjen në kohë reale të anijes, duke i bërë thirrje njerëzve që ta shpërndajnë “në të gjithë internetin”.

“Në këtë mënyrë, Izraeli po përgatitet të kryejë një krim lufte në mes të ujërave ndërkombëtare,” përfundon deklarata. Në bord ndodhen 12 aktivistë, përfshirë aktivisten suedeze për klimën Greta Thunberg dhe aktorin irlandez Liam Cunningham.

Java e kaluar, transmetuesi shtetëror izraelit KAN raportoi se Tel Avivi kishte tërhequr vendimin fillestar për lejen e kalimit të anijes. Miratimi u tërhoq me justifikimin e “krijimit të një precedenti” për misionet e ardhshme të ndihmave humanitare. Anija po transporton furnizime urgjente për popullsinë e Gazës, përfshirë qumësht për foshnjat, miell, oriz, pelena, produkte sanitare për gratë, pajisje për pastrimin e ujit, materiale mjekësore, lidhëse dhe proteza për fëmijë, sipas organizatorëve.

Një anije tjetër e koalicionit Freedom Flotilla, “Conscience”, u sulmua nga dronë pranë bregut të Maltës më 2 maj. Izraeli, duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ka vijuar ofensivën shkatërruese në Gaza që nga tetori i 2023, duke vrarë gati 54,800 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë. Agjencitë e ndihmave paralajmërojnë për rrezikun e urisë mes më shumë se 2 milionë banorëve të enklavës.

Në nëntor të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Izraeli përballet gjithashtu me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet e tij ndaj civilëve në enklavë./Gazetaimpakt/yenisafak

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne