Izraeli shkatërroi 40 ndërtesa që nga fillimi i përhapjes së COVID-19

Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara (OKB) të publikuar sot, Izraeli ka shkatërruar apo ka konfiskuar 40 ndërtesa palestineze në Zonën C të Bregut Perëndimor të okupuar që nga 5 marsi.

“Që nga deklarimi i Gjendjes Emergjente të COVID-19 në Palestinë më 4 mars, autoritetet izraelite kanë shkatërruar, kanë detyruar njerëzit të shkatërrojnë vetë apo ka konfiskuar 40 struktura”, thuhet në raportin e Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UN-OCHA).

Në kumtesë thuhet se shkatërrimet kanë shkaktuar zhvendosjen e 26 palestinezëve dhe kanë ndikuar tërthorazi në mbi 260 të tjerë.

Dje, Izraeli informoi OKB-në se përkohësisht do të ndalojë shkatërrimin e shtëpive të banuara palestineze dhe ndërtesat mjekësore në Zonën C të Bregut Perëndimor për shkak të krizës me koronavirusin.

Njoftimi u konfirmua nga Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Saeb Erekat.

“U informova nga zyrtarët e lartë të OKB-së se autoritetet okupatore të Izraelit i kanë informuar ato se do të ndalojnë shkatërrimin e shtëpive palestineze”, tha ai.

Rreth 650.000 kolonë hebrenj aktualisht jetojnë përgjatë Bregut Perëndimor në mbi 100 vendbanime të ndërtuara nga viti 1967, kur Izraeli okupoi Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

Sipas Marrëveshjes së Oslos së vitit 1995 të nënshkruar mes Autoritetit Palestinez (PA) dhe Izraelit, Bregu Perëndimor përfshirë edhe Kudsin Lindor ishte ndarë në zonat A, B dhe C.

Izraeli parandalon palestinezët që të zhvillojnë projekte ndërtimore në pjesë të Bregu Perëndimor të përcaktuar sipas marrëveshjes si Zona C, kontrollo administrativ dhe i sigurisë i së cilës i takon Izraelit.

Zona C aktualisht është shtëpi e rreth 300.000 palestinezëve, shumica prej të cilëve janë beduinë dhe blegtorë që jetojnë kryesisht në tenda, karvane dhe shpella.

Ligji ndërkombëtar e përkufizon Bregun Perëndimor, ërfshirë edhe Kudsin Lindor, si “territor të okupuar” dhe i konsideron të gjitha aktivitetet ndërtimore të vendbanimeve hebreje si ilegale./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne