Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz e shpalli zonën kufitare me Egjiptin një zonë të mbyllur ushtarake, duke përmendur shqetësime sigurie, transmeton Anadolu.
“Ne po shpallim luftë. Kushdo që hyn në zonën e kufizuar do të dëmtohet”, tha Katz gjatë një diskutimi të mërkurën vonë, siç u citua nga transmetuesi publik KAN.
Radioja e ushtrisë tha se ministri i Mbrojtjes ra dakord me shefin e “Shin Bet”, David Zinni, për të klasifikuar përpjekjet e dyshuara për të kontrabanduar armë përmes kufirit me Egjiptin si një “kërcënim terrorist” dhe për të ndihmuar shërbimet e sigurisë “të përdorin mjete të përshtatshme për ta luftuar atë”.
Sipas gazetës “Yedioth Ahronoth”, ministri Katz urdhëroi “të goditet çdo entitet i paautorizuar që infiltrohet në zonën e ndaluar”. E përditshmja pretendon se vendimi erdhi pas të ashtuquajturave “operacione masive të kontrabandës së armëve” përgjatë kufirit.
Ndërkohë nuk ka patur asnjë koment të menjëhershëm nga autoritetet egjiptiane mbi pretendimet izraelite. Në muajt e fundit, ushtria izraelite pretendonte vazhdimisht se ka penguar përpjekjet e kontrabandës së armëve përmes dronëve, pa specifikuar palët pas këtyre operacioneve të dyshuara.
Ushtria izraelite ka vrarë gati 69.000 palestinezë dhe ka plagosur mbi 170 mijë të tjerë në ofensivën brutale në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023. Sulmet u ndalën pas marrëveshjes së armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor./AA















