Dhjetëra qytetarë u mblodhën sot përpara Kuvendit, duke protestuar për më shumë se 40 minuta kundër projektligjit “Për barazinë gjinore”. Me pankarta në duar ku shkruhej “Jo gjinorizimit të fëmijëve”, “Ka vetëm dy gjini, mashkull e femër”, protestuesit shprehën kundërshtinë ndaj nismës së qeverisë, të cilën e konsiderojnë kërcënim për familjen tradicionale shqiptare.
Në tubim mori pjesë edhe pastori Akil Pano, i cili deklaroi:
“Familja duhet të mbrohet dhe të lartësohet. Nuk do të lejojmë që të cenohet dinjiteti i shqiptarëve, identiteti i fëmijëve tanë dhe e ardhmja e Shqipërisë. Ky projektligj është një formë genocidi ndaj fëmijës dhe qytetarëve.”
Koalicioni “Pro Familjes dhe Jetës”, organizatori i protestës, e cilëson projektligjin si të rrezikshëm, duke pretenduar se ai bie ndesh me traditat shqiptare dhe përpiqet të ndryshojë me forcë nocionet bazë të burrit dhe gruas.
Sipas protestuesve, pavarësisht disa ndryshimeve në nenin 4 të projektligjit — ku përcaktohet qartë se gjinia ndahet në mashkull dhe femër — ky përcaktim nuk pasqyrohet në nenet e tjera. Ata kanë paralajmëruar se do të rikthehen sërish në protestë në orën 19:30.
Nga ana tjetër, qeveria argumenton se projektligji “Për barazinë gjinore” ka për qëllim përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e të drejtave të njeriut dhe trajtimit të barabartë të grave dhe burrave.
Debatet për terminologjinë e përdorur dhe ndikimin e saj në modelin tradicional të familjes kanë qenë në qendër të diskutimeve publike dhe në komisionet parlamentare që kanë shqyrtuar këtë nismë./gazetaimpakt


















