Të paktën 35 palestinezë të tjerë janë vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve që nga viti i kaluar në 43.799, tha sot Ministria e Shëndetësisë në enklavë. Ministria tha në një deklaratë se rreth 103.601 persona po ashtu janë plagosur në sulmet izraelite që filluan më 7 tetor të vitit të kaluar.
“Forcat izraelite vranë 35 persona dhe plagosën 111 të tjerë në tri masakra ndaj familjeve në 24 orët e fundit”, tha ministria. “Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje t’i arrijnë ata”, shtoi ajo.
Duke shpërfillur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm, Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit të kaluar. Sulmet izraelite kanë zhvendosur pothuajse gjithë popullsinë e territorit, krahas një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli gjithashtu përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza./AA