Ja sa fitojnë shqiptarët e Serie A në një sezon

“La Gazzetta Dello Sport” ka publikuar pagat e futbollistëve në Serie A për edicionin futbollistik 2017-2018. Në elitën e futbollit italian militojnë 6 lojtarë shqiptarë që janë pjesë e ekipit kombëtar.

Edhe pse Elseid Hysaj luan te një klubi i madh dhe në vitin e fundit ka qenë një nga lojtarët më të kërkuar në merkato paga e tij nuk i kalon 1 milionë euro në sezon. Mbrojtësi shkodran qëndron i parafundit në ekipin e Napoli me 700 mijë euro neto që përfiton për një edicion sportiv.

Aq sa shkodrani fiton edhe portieri i Atalanta, Etrit Berisha që këtë verë u bashkua me bergameskët duke nënshkruar një kontratë 4-vjeçare nga e cila fiton 700 mijë euro në vit.

Podiumi kompletohet me portierin e talentuar të kuqezinjve, Thomas Strakosha që është kthyer në titullar të padiskutueshëm te Lazio. 22-vjeçari fiton 600 mijë euro në sezon dhe ka një kontratë që e mban të lidhur me kryeqytetasit deri në vitin 2022.

Në vend të katërt pozicionohet qendërmbrojtësi i Crotone, Arlind Ajeti, i cili u bashkua nga Torino me të drejtë blerje. Ajeti fiton 250 mijë euro në sezon.

Ledian Memushaj që u bashkua me Benevento dhe ka nënshkruar një kontratë dy vjeçare fiton 200 mijë euro në sezon.

Berat Gjimshiti që është bërë pjesë e Benevento nga Atalanta, e cila e ka huazuar me të drejt blerje vitin e ardhshëm fiton 100 mijë euro në sezon./ sport.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne