“Jam kërcënuar me jetë”, Mustafë Bajrami akuza policisë së Kosovës: Nuk keni zbardhur krimet ndaj familjes time

Teologu Mustafë Bajrami ka deklaruar se është kërcënuar me jetë për shkak të besimit të tij dhe qëndrimeve islame të shprehura publikisht duke akuzuar policinë e Kosovës se nuk ka zbardhur krimet ndaj tij dhe familjes së tij.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, profesori i njohur është shprehur se famija e tij është përballur me sulme të vazhdueshme.

Mustafë Bajrami rrëfen se i kanë grabitur 5 herë shtëpinë, makina dhe sendet me vlerë por ende nuk ka asnjë përgjigje nga Policia e Kosovës se deri ku kanë shkuar hetimet për të gjitha çështjet ndaj familjes së tij.

Mesazhi i Plotë në Facebook

Erdhi koha ta përmendi edhe publikisht, pasi organet kompetente e dinë qe sa kohë: 5 herë më është vjedhur shtëpia. M’i kanë vjedhur kerret, më kanë demoluar shtëpinë e orenditë brenda, më kanë vjedhur stolitë e gruas, libra e aparate me vlerë dhe çdo gjë që kanë gjetur e që e kam fituar me djersë për vite të tëra në gurbet. Për pasojë, për dy vite rresht familja ime është trajtuar tek mjekët specialistë pas traumave që ka marrë si rezultat i asaj që ka parë në shtëpinë tonë të demoluar e shkatërruar. Dhe pas gjithë këtyre, së fundmi jam kërcënuar sërish me vdekje për të cilat raste policia e prokuroria janë në dijeni. 6 herë Policia e Kosovës ka bërë raporte, (kinse) ka nisur hetime, mbi 10 herë kam shkuar nëpër stacionet e policisë për tu interesuar nëse kanë zbuluar diçka, disa herë kam shkuar në Inspektoratin e Policisë kinse për tu ankuar. Kam folur “privatisht” me hetuesë e policë me grada, dhe, deri më sot, kurrë asnjëherë askush nuk më ka kontaktuar, nuk më ka pyetur, nuk më ka thirrë apo të jetë interesuar së paku moralisht të më jipte ndonjë mbështetje. Përgjigjet që i merrja nga zyrtarët policorë shumë herë kanë qenë më tepër se qesharake!! Anipse unë disa herë për raste të tjera publikisht kam lavdëruar Policinë e Kosovës.

Tani nga këtu publikisht, sepse nëpër zyre e me letra më është shtjerrë fuqia, i bëjë thirrje Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe kompetentëve të tjerë që të merren me rastet e mia nëse duan, apo mundin të zbulojnë diçka nga ato që hajnat, grabitësit e kriminelët kanë bërë mbi mua, familjen time e shtëpinë time!

P/S: Nuk di nëse kam ndonjë dëshirë më të madhe në jetë se sa të zbuloj kush m’i ka bërë këto apo kush qëndron pas gjithë këtyre. Së paku ta shoh në sy se çfarë fytyre ka….!!!/gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne