Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, ka reaguar pas përfundimit të hetimeve ndaj klientit të tij, duke i cilësuar akuzat të pabazuara dhe të motivuara politikisht.
Për mediat, Cakrani tha se bëhet fjalë për tri akuza: korrupsion pasiv i funksionarëve të zgjedhur, pastrim i produkteve të veprës penale dhe fshehje të të ardhurave, por sipas tij, asnjëra prej tyre nuk qëndron.
“Janë tre akuza, korrupsioni pasiv i funksionarëve të zgjedhur, pastrimi i produkteve të veprës penale dhe fshehje të ardhurave. Akuzat nuk qëndrojnë. Ato janë shpjeguar edhe gjatë fazës hetimore, por kur ai është marrë në pyetje. Ai pretendon dhe është e saktë se këto hetime përfunduan pas zgjedhjeve dhe kanë përfunduar në momentin kur në Shqipëri po diskutohet për terrorizimin e zgjedhjeve. Për të hequr vëmendjen nga problematikat e zgjedhjeve prokuroria vendosi të përfundojë hetimet”, u shpreh avokati.
Sipas Cakranit, shumë individë të tjerë, ish-pjesëtarë të LSI-së, të cilët sipas tij duhej të ishin të pandehur, sot janë të lirë dhe madje mbajnë funksione publike, ndërkohë që Ilir Meta po përballet padrejtësisht me akuzat.