“Jepu lekë në dorë, sa më shpejt!” Gazetari i kërkon Ramës t’u dërgojë para ta varfërve, kryeministri: Ku t’i gjej unë? Jemi në luftë

Kryeministri Edi Rama është shprehur se për familjet në nevojë do të shpërndahen ndihma ushqimore. Në një prononcim për “Vizion Plus”, Rama u pyet për krizën në familjet në nevojë dhe gazetari i kërkoi që t’iu çonte para kesh sa më shpejt. Në këtë moment, Rama tha se nuk ka para për t’u çuar të gjithë të varfërve, por që ata do të marrin shumën që iu është caktuar nga nga fondi i paketës socialo-ekonomike.

Pjesë nga biseda

Gazetari: Shumë njerëz sot ndodhen në vështirësi të mëdha ekonomike, madje kronikat tona e dëshmojnë këtë. Çfarë do të bëhet për të varfërit? A mjafton vetë shpërndarja e ushqimeve?

Rama: Çfarë duhet të bëjmë tjetër për shembull?

Gazetari: T’u dërgoni para në duar…

Rama: Çfarë t’u çojmë?

Gazetari: T’u dërgoni para në duar, sa më shpejt të jetë e mundur….

Rama: T’u dërgojmë para në duar? Po ku t’i gjejmë paratë?

Gazetari: Ato që janë dhënë nga fondi i paketës socialo-ekonomike që ju keni ndarë.

Rama: Ato janë akorduar dhe do të shpërndahen patjetër, por ndërkohë unë dua të nënvizoj që kjo është një luftë dhe jetohet për mbijetesë. Ne po shpërndajmë ndihma ushqimore për të gjithë ata që janë më në nevojë se të tjerët sepse këtu deti nuk është bërë kos, por gjërat janë të shtrënguara. Shteti njësoj si një familje nuk i ka të pakufizuara mundësitë ekonomike, as në amerikë. Shteti në Shqipëri është njësoj si një familje shqiptare e zakonshme. Është shumë e rëndësishme kjo të theksohet dhe të përsëritet. Akoma ka njerëz që nuk po e fusin në kokë që kjo është luftë dhe në luftë prioriteti është të ruash kokën. Nuk është prioriteti në luftë që të kesh kohë pa fund për të shitur dengla në rrjetet sociale. Këto janë fonde për të mbijetuar, nuk janë fonde për të vazhduar lundrimin njësoj siç ndodhte kur rrjedha ishte e qetë. Këto janë fonde për mbijetesë dhe për të mos u marrë përpara nga dallgët e mëdha.

Në Shqipëri janë 186 të infektuar me Covid-19, mes tyre katër fëmijë, ndërsa numri i viktimave ka shkuar në tetë./Tpz/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne