Përballja euro-amerikane rreth Kosovës

Nga Av. Faik MIFTARI

Para 12 vitesh Kosova shpalli pavarësinë e saj të njëanshme,  porse akoma nuk ka përfunduar  njohja e shtetësisë së saj sipas drejtës ndërkombëtare, pasi që duhet të njihet nga Serbia dhe të pranohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si shtet anëtareme të drejta dhe obligime të plota.

​​Shtetet e Bashkuara të Amerikës si promotoredhe mbështetëse kryesore e shpalljes së pavarësisë së njëanshme të Republikës së Kosovës së bashku me aleatët e saj kryesor, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Italinë, etj., tani pas 12 vitesh  duke parë se Kosova nuk po mund të përmbyll shtetësinë e saj, për shkak të mos njohjes së  saj nga Serbia, dhe refuzimit të Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që pa pranimin e Serbisë Kosova nuk mund të anëtarësohet në OKB, ndërmorën një ofensivë politike dhe diplomatike në krerët e Kosovës dhe Serbisë, gjegjësisht me presidentët Thaqi e Vuçiqi, për të gjetur një zgjidhje kompromisi të pranueshme për të dyja palët.

Edhe pse akoma nuk është i njohur në opinionin publik se si do të duket  ky  kompromis politik, dhe se së fundi  nga State departamenti i shtetit amerikan  është demantuar se një marrëveshje e tillë sekrete ekziston, nëpër kuloaret diplomatike e posaçërisht në mediat elektronike qarkullon një plan i cili parasheh një shkëmbim, i mundshëm i territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë si zgjidhje kompromisi e pranueshme për të dy palët.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë kompromis të mundshëm, nëse arrihet, do të ke mbështetjen e Britanisë së Madhe, sipas të gjitha gjasave edhe të Rusisë, nëpërmjet së cilës, Rusia do të mbështet çdo zgjidhje  me të cilën do të pajtohet Serbia. Për momentin, në Evropë Gjermania dhe Franca fuqishëm janë duke kundërshtuar këtë kompromis të mundshëm politik, shkëmbimin e territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë, duke qëndruar në parimin, se nuk duhet lejuar ndryshim të kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë, sepse do të hapin kutinë e Pandorës në Ballkan për ri  rregullimin e kufijve, e me theks të posaçëm në Bosnjë e Hercegovinë.

Gjermania dhe Franca, pas largimit të Britanisë së Madhe,  janë shtetet kryesor dhe lidere Bashkimit Evropian, dhe pa pajtimin e tyre, nuk mund të arrihet zgjidhja politike në mes Kosovës dhe Serbisë, çfarëdo çoftë ajo, pasi që të dyja shtetet, edhe Kosova edhe Serbia, pretendojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian, e dihet se pa pajtimin e Gjermanisë dhe Francës, Kosova dhe Serbia mund të shohin ëndrra se një ditë do të mund të jenë anëtare e Bashkimit Evropian.

Liderët shtetëror dhe politik të Kosovës, sikurse ata që janë në pozitë, por edhe ata që janë në opozitë, prononcimet dhe deklaratat e tyre , duhet të kenë shumë kujdes që të balancojnë në mes këtyre dy faktorëve vendimmarrës,atij anglo-amerikan(Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe), dhe asaj kontinentale(Gjermania dhe Franca) dhe të marrin parasysh të dyja faktorët, pasi që pa pajtimin e të dy faktorëve të cekur nuk mund të arrihet një zgjidhje e pranueshme për Kosovën.

Ishte shumë befasuese dhe shkurtëpamëse ajo që ndodhi gjatë këtyre ditëve me mocionin e votëbesimit të  qeverisë Kurti, në të cilën pothuajse i gjithë spektri politik i përfaqësuar në Parlamentin e Kosovës, iu nënshtrua presionit  të ambasadorëve amerikan Kosnetdhe Grenell, për të votuar mocionin e votëbesimit të qeverisë aktuale të Kosovës, që nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, NISMA, SRPSKA, G+6, përveç LVV-së dhe 3 deputetëve të LDK-së që votuan kundër mocionit, në këto ditë të vështira nëpër të cilin kalon Kosova me pandeminë e Korona virusit.

Të neglizhosh dhe anashkalosh zërin e Gjermanisë, Francës, Zvicrës dhe shteteve tjera që në këtë kohë të vështirë  kanë porositur liderët politik të Kosovës që të mos shkohet në mocion votëbesimi, nuk do kalojë pa pasoja politike.

Kosova pikësëpari gjendet në Evropë, dhe varet në shumë aspekte nga Bashkimi Evropian, i cili edhe tani në këto ditë të vështira nëpër të cilën kalon Kosova me pandeminë, ia ofroi 68 milion Euro ndihmë Kosovës për përballje me pandeminë e Korona virusit, diaspora shqiptare është së shumti e përqendruar në Gjermani, Zvicër, Austri, Itali, Francë, Skandinavi, etj., dhe se në perspektivën e saj Kosova ka në plan  anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Të gjitha këto bëjnë që establishmenti politik dhe shtetëror i Kosovës duhet të kenë shumë kujdes edhe në raportin me pjesën kontinentale evropiane (Gjermania dhe Franca), e jo vetëm asaj anglo-amerikane (SHBA-të dhe Britania e Madhe)  të cilës janë duke dhënë rëndësi primare. Edhe pse është shumë vështirë të rezistosh presionit amerikan, duke marr parasysh thënien e  analistit të shquar gjeopolitik  amerikan George Friedman se:”Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të rrezikshme edhe në gjendjen e tyre më dashamirëse, por kur ato përqendrohen në një problem, ato mund të jenë tmerrësisht të pamëshirshme”, por ama nuk duhet anashkaluar assesi edhe presionin kontinental evropian (Gjermania dhe Franca) i cili është faktor kyç për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Duke marr parasysh votimin  e Parlamentit të Kosovës për mocionin e votëbesimit të qeverisë Kurti i cili u mbajt gjatë  këtyre ditëve, nga kjo duhet nxjerr mësim se çfarëdo çoftë zgjidhje politike që do të serohet mes Kosovës dhe Serbisë, nuk duhet lejuar vetëm ratifikimin e saj në Parlamentin e Kosovës, pa u mbajt referendumi në të cilin populli(sovrani) i Kosovës do të vendos për atë, çfarëdo që vendos, aq më shumë kur vet presidenti i Serbisë Vuçiq, ka deklaruar se ai fjalën e fundit për arritjen e marrëveshjes do të len popullit të vendos në referendum, dhe për atë kjo do të jetë vendimtare, neve nuk duhet lejuar luksin që për fatin e Kosovës të vendos vetëm presidenti Thaqi dhe Kuvendi i tanishëm  aktual i Kosovës pa marr për bazë edhe vendimin e popullit(sovranit) të Kosovës në referendum lidhur me zgjidhjen e normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë./gazetaimpak

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne