“Jetojmë në një sistem të bazuar te korrupsioni”, Arlind Qori: Jemi të fundit në Europë për nivelin e pagave dhe pensioneve, ja pse nuk protestohet

Arlind Qori, kreu i Lëvizjes Bashkë tha se qeveria ka në plan të rrisë pagat për nëpunësit publikë, ndërkohë që pjesa më e madhe e shqiptarëve punojnë në sektorin privat. Qori tha se Shqipëria ka një nivel shumë të ulët për pensionet, duke u renditur të fundit jo thjesht në Rajon, por edhe në Europë.

“Mësuesi sot që flasim merr 600 mijë lekë të vjetra dhe është i detyruar që të bëjë edhe një punë tjetër, për të përballuar kostot e jetesës. Ne jetojmë në një sistem të bazuar te korrupsioni dhe ata që kanë pushtetin politik mendojnë se si të vjedhin. Jemi një nga vendet e fundit në Europë për pagat dhe pensionet.

Kryeministri deklaron se kemi 4 miliardë euro të ardhura nga turizmi, atëherë si ka mundësi që nga këto 4 miliardë euro nuk pikon asgjë për rritjen e pensioneve”, tha Qori. Ai u shpreh se shumica e pensionistëve që kanë punuar nga 40 vjet marrin 100 mijë lekë të vjetra në muaj.

I pyetur sepse njerëzit nuk dalin në protesta, Qori tha se janë disa faktorë. “Njerëzit kanë frikë, por me mijëra shqiptarë kanë ikur nga Shqipëria. Janë mbi 50 % e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë, ndërkohë që Ukraina është në luftë dhe janë larguar jo më shumë se 1/5 e ukrainasve. Po gjithashtu njerëzit nuk e ndjejnë veten të përfaqësuar te opozita e vjetër.

Të vetmit që kemi organizuar protesta jemi ne si Lëvizja Bashkë. Modeli dhe strukturimi i keq i ekonomisë shqiptare është një tjetër pengesë për pjesëmarrjen në protesta. Këtu nuk ka sindikata të fuqishme, sepse këtu nuk ka industri”, tha Qori.

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne