Nga Armir Shkurti
Vdekja e parë në tokë nuk ka ndodhur për shkaqe natyrale. Ka qenë vrasje. Djali i vogël i Adamit ( Ademit ) dhe Evës ( Havasë ), i quajtur Kain vrau të vëllanë, Abelin. Ndodhi për shkak të inatit, xhelozisë, zilisë pra disa prej mëkateve të cilat i ati u kish trashëguar bijve për shkak të mosbindjes së tij ndaj Zotit. Nuk pati TikTok Adami e as e shoqja. Një gjarpër ua tha në vesh të mosbindeshin. As dy djemtë s’patën TikTok, Fb, X, Snapchat, TV, “rrugaçin e lagjes” ( demek celularin ) madje as gjarprin s’e patën më që ti shtynte në ligësi.
A thua Adami duhet ta paguante aq shtrenjtë mëkatin fillestar, aty ku i dhimbte më shumë: duke i humbur të dy djemtë. Të madhin e humbi prej vdekjes, të voglin – si vrasës të të vëllait?
Pyes: a mos vallë ky çast i Zanafillës na thërret të mendojmë se është pikërisht BABAI me MAMANË përgjegjës për çka bën fëmija dhe askush tjetër? Se goditjen që sistemi po i bën familjes globalisht do ta fshehë pas kauzave të trilluara, për të shtyrë përpara axhenda të tjera antinjeri?
Një tragjedi e paemër ngjau këtë muaj. Një djalë si drita u ther me thikë në zemër tek shkolla e tij. Pa u tharë gjaku i këtij njomishteje Edi Rama u ngut të ngjyejë penën në plagën e viktimës për të nënshkruar një “akt shpëtimtar”: TË MBYLLET TIKTOKU!!
Ky rrjet social paskësh qenë e keqja! Nëna, baba, shkolla, partia, qeveria, me mund e sakrificë edukojnë fëmijët. Mirëpo vjen ky TikToku dhe i çedukon me magji.
– Të dhemb njëri sy? Kërreje të të shpëtojë tjatri! – urdhëronte doktor Adhamudhi i Çajupit. Krejt në një metodë veproi edhe kryeministri i Shqipërisë:
– Të kërrejmë TikTokun që të shpëtojmë fëmijët!
Me 5 a 6 skeçe nëpër shkolla, në estradën e titulluar “dëgjesa publike”, Rama “u bind” që zgjidhja e vetme është mbyllja e plotë e kësaj medie. Me një skenar mizerabël aktorët që interpreronin prindërit në këto skeçe nuk e patën hiç për turp të shpallnin dështimin e tyre vetjak në edukimin e fëmijës dhe të lypnin ndihmën e Ramës “për ta mbyllur këtë kancer”. Po or po! Kështu janë shprehur!
E Rama, nën moton enveriste “ç’do populli bën partia – ç’ thotë partia bën populli”, tha vetë se duhej mbyllur “flama”, e dëgjoi vetë dhe po vetë vendosi ta mbyllë për një vit!
Lexoj poshtë e përpjetë se kjo mbyllje na qenkësh bërë prej frikës që ka Edi prej TikTokut në zgjedhje. Për shumë arsye them JO. Ose, për të mos u bërë kaq i prerë, po them se ky është i fundit shqetësim i tij.
Po atëherë?
Kujtoni pak talljet e b¥thës gjatë pandemisë kur me facebook caktonte oraret e daljes në rrugë dhe mbylljes në shtëpi! Cilat kategori, sa orë, madje edhe si do të uleshin në makinë burri me gruan. Kujtoni kur nxorri tanket e autoblindat nëpër kryeqytet në mars 2020, kur s’qe aspak e nevojshme. Sillni ndërmend se si mbylli lojrat e fatit dhe llotot me qëllim që “burrat të mos harxhonin lekët e grave”. Të gjitha, gjithçka, çdo shtrëngim, në emër të së mirës i ka nisur. Ashtu siç çdo fatkeqësi e luftë në botë pas të mirës është fshehur. Edhe kjo e TikTokut. Duke shpërdoruar gjëmën e një familjeje të zhuritur gjoja po na mbron ne të tjerëve fëmijët…. duke mbyllur një media me shtrirje globale! (?) Nga e di Edi Rama që shkaku i vrasjes së të miturit është pikërisht ky aplikacion? Ndërkohë që ai ka bërë fushatë me këtë kauzë, familja e të ndjerit proteston përditë në dyert e pushtetit duke paditur ngutjen e shtetit për të fshehur krimin dhe shpëtuar autorët. Nga e di ky kryeministër se me mbylljen e këtij aplikacioni edukimi i të miturve do të përmirësohet dhe krimet do të ndalojnë? Po nëse krimet dhe problemet vazhdojnë… a duhen mbyllur edhe rrjetet e tjera sociale dhe mediat e pakontrolluara online?
SEPSE QËLLIMI BAZË ËSHTË KONTROLLI!!!
Nuk është aspak humbje praktike për shqiptarin mbyllja e TikTokut, por është kriminal fakti që në një vend, të quajtur “demokratik”, sundimtari nuk ka frikë të fusë gërshërën në media dhe të vendosë që shqiptarët nuk kanë për ta parë atë. Pikë!
Kjo është çështja! Sa të hapet rruga. Sa të mësohen shqiptarët edhe me këtë shtrëngim të ri, me të drejtën që i jep vetes sundimtari të kontrollojë informacionin që merr publiku, ta peshojë ai e më pas ta gjykojë nëse ka të drejtë vulgu ta marrë atë informacion apo i duhet ndaluar.
Një tjetër hall i Ramës është se në këtë rrjet social plot njerëz të shkathët kanë gjetur mënyra për të bërë emër e për të bërë para. Të dyja këto koncepte janë armike për Edin. Në një shoqëri të kontrollit total nuk duhet të ketë as aktorë socialë të rëndësishëm të pavarur e aq më pak individë me pavarësi ekonomike.
Nëse ke ndjekur udhën e Edi Ramës drejt pushtetit, ke vënë re se s’bën se mënyra e ndërveprimit të tij është: kafsho – tërhiqu! Gjithnjë ka provokuar fort dhe kur nuk i është kthyer siç duhet kundërshtari, e ka shtyrë deri në palcë kafshimin. Në të kundërt është zbythur, si tek armët kimike. Shtrëngo e shtrëngo, pa ndonjë rezistencë për të qenë, ky individ ia ka dalë ta çimentojë veten në krye të piramidës politike, si përfaqësuesi politik i oligarkisë, si njeriu që ka në dorë gjithë pushtetet dhe kontrollon krejt jetën e vendit. Futja e duarve në prerje sinjalesh mediatike s’është as më shumë e as më pak sesa prerja e sinjaleve të tv të huaja në vitet ’70. Nëse ky akt do të pranohet nga ne, preçedenti – e përsëris – ka gjithë mundësitë të përdoret edhe për faqe, portale apo televizione që “dëgjesat publike” i sugjerojnë Ramës të mbyllen se u prishin fëmijët.
S’le dot pa thënë edhe një hile tjetër që e ka luajtur me ustallëk ky Adhamudhi ynë: konjukturën botërore. Në ca vende perëndimore e kanë ndaluar TikTokun vetëm nëpër institucione shtetërore me pretekstin se “Kina përmes tij vjedh të dhëna”. Por askush në botën moderne, të quajtur “demokratike” nuk ka guxuar ta ndalojë atë për publikun. Se andej publiku ende ti këput koqet e ti fut në gojë nëse i cënon lirinë e fjalës dhe informimit. Në këto kushte Ed Çensori shpreson në një pranim në heshtje të Perëndimit ndaj këtij akti aspak demokratik e perëndimor.
Me një fjalë: nuk është se mua si Armir më plas shumë për TikTokun, se nuk kam as llogari në të. Por thjesht konstatova shtrëngimin edhe një vrimë më tej të rripit të lirive, përmes metodave më radikale se enverizmi e njëkohësisht po konstatoj edhe “thithjen e barkut” nga populli ynë shakaxhi, që përshtatet shpejt dhe i merr me humor përshkallëzimet e diktaturës!