Kalin: Turqia mbetet vigjilente pavarësisht “goditjes së konsiderueshme” ndaj terroristëve në Siri

“Operacioni «Burimi i Paqes» ka eliminuar në një masë të madhe qëllimet për krijimin e një korridori terrorist, madje edhe një shteti terrorist në veri të Sirisë”, tha Ibrahim Kalin para gazetarëve gjatë takimit të kabinetit qeveritar në Kompleksin Presidencial në Ankara.

“Një goditje e konsiderueshme u bë në këtë korridor terrorist. Sidoqoftë, Turqia vazhdon të jetë vigjilente, sepse e dimë që terroristët nuk do të heqin dorë lehtësisht nga qëllimet dhe aktet e tyre”, shtoi ai.

Kalin vuri në pah se tërheqja e terroristëve të YPG/PKK-së nga kufijtë turq pas operacionit “nuk do të thotë që lufta (kundër terrorit) ka mbaruar ose është ngadalësuar”.

Duke tërhequr vëmendjen mbi pretendimet se operacioni antiterrorist i Turqisë në veri të Sirisë ishte “minimi i luftës” kundër organizatës terroriste DAESH, zëdhënësi i Presidencës turke tha se qëllimi i këtyre pretendimeve është vetëm për të “mbrojtur terroristët e YPG/PKK-së”.

Sipas inteligjencës turke – vijoi ai – organizata separatiste terroriste YPG/PKK po sulmonte ushtarët turq dhe trupat e Ushtrisë Kombëtare Siriane (SNA) në qytetin verilindor Tal Tamr të Sirisë, në provincën perëndimore Al-Hasakah, ku normalisht nuk kishte konflikte.

“Turqia pret që aleatët e saj, qofshin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian apo edhe ndonjë vend tjetër, të mbajnë një qëndrim të qartë kundër të gjitha llojeve të terrorizmit. Njohja e PKK-së si organizatë terror në letër nuk është e mjaftueshme. E rëndësishme është ajo çfarë bëni në praktikë”, potencoi Kalin.

Zëdhënësi presidencial turk vuri në dukje gjithashtu se janë ndërmarrë iniciativa në Zyrën e Komisarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për kthimin e refugjatëve sirianë në vendin e tyre.

Kalin po ashtu komentoi vizitën e mundshme të Presidentit Recep Tayyip Erdogan në SHBA (më 13 nëntor) duke thënë se pala që kërkoi vizitën nuk ishte Turqia.

“Vlerësimet tona vazhdojnë nëse (vizita) do të bëhet apo jo”, shtoi ai.

Kalin nënvizoi mes të tjerash se Turqia është treguar dhe do të vazhdojë të tregohet maksimalisht e ndjeshme për sigurinë e jetës dhe pronës së të gjitha pakicave e grupeve etnike si brenda territorit të saj ashtu edhe në rajon.

Në fund ai paralajmëroi se të gjithë duhet të jenë shumë të kujdesshëm ndaj aktiviteteve të propagandës së zezë për të errësuar suksesin e Operacionit “Burimi i Paqes”./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne