Kanadaja bën thirrje për hapjen e një korridori humanitar për Gazën e rrethuar

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau bëri thirrje për hapjen e një korridori humanitar në mënyrë që ndihmat të mund të arrijnë në Rripin e Gazës, i cili është nën bllokadë izraelite dhe është ndërprerë qasja në shërbimet bazë.

Sipas CBC News, Trudeau në fjalimin e tij në Dhomën e Komunave tha se janë “thellësisht të shqetësuar për krizën e tmerrshme dhe të përkeqësuar humanitare” në Gaza. Ai tha se është “imperative” që ndihma humanitare të arrijë te civilët në Gaza.

Trudeau bëri thirrje për krijimin e një korridori humanitar në mënyrë që ndihmat të mund të arrijnë në Rripin e Gazës pa asnjë pengesë. Ai theksoi se “edhe lufta ka rregulla dhe ligji ndërkombëtar duhet të respektohet në Gaza”.

Ministrja kanadeze e Punëve të Jashtme, Melanie Joly tha se “Ndërsa ka një krizë në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Izrael, situata e sigurisë në rajon është bërë shumë e paqëndrueshme”. Ajo këshilloi qytetarët e Kanadasë që jetojnë në Liban të largohen nga vendi.

Konflikti Izrael-Palestinë

Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam, nisi sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit në mëngjesin e 7 tetorit, të quajtur “Tufani i Aksa-së”. Ndërsa mijëra raketa u hodhën nga Gaza drejt Izraelit, grupet e armatosura palestineze bastisën dhe morën nën kontroll portën kufitare Beit Hanun-Erez në kufirin Gaza-Izrael.

Grupet e armatosura më pas hynë në vendbanimet brenda Izraelit ndërsa ushtria izraelite nisi sulme në Rripin e Gazës me dhjetëra avionë luftarakë. Raportohet se 1.400 izraelitë, përfshirë 299 ushtarë humbën jetën dhe 3.968 izraelitë u plagosën në sulmet e kryera nga Gaza.

Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se 2.778 palestinezë u vranë dhe më shumë se 10 mijë u plagosën në Gaza në sulmet e Izraelit. Theksohet se 61 palestinezë u vranë dhe rreth 1.250 u plagosën në sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Në sulmet izraelite humbën jetën 11 gazetarë.

Në përleshjet që kanë shpërthyer midis Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite në kufirin izraelit në jug të Libanit që prej 8 tetorit, deri më tani kanë humbur jetën 3 civilë, 4 milici të Hezbollahut dhe 2 anëtarë të Lëvizjes Xhihadi Islamik Palestinez.

Tre ushtarë izraelitë humbën jetën në sulmet e kryera nga Libani./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne