‘Kanibalë & Vrasës’: Publikohen imazhe tronditëse anti-Amerikane nga propaganda e Penianit

Tensionet midis SHBA dhe Koresë së Veriut janë duke u përshkallëzuar pasi dy vendet janë përfshirë në një luftë të hidhur fjalësh. Skica të tmerrshme ku tregohen mizoritë e supozuara Amerikane janë publikuar në internet me qëllim propagandues nga Peniani.

Pamjet grafike, ku tregohen ushtarë Amerikanë duke ekzekutuar koreano-veriorët, duke hedhur qentë mbi civilët, duke torturuar gratë dhe duke lënë fëmijët të vdesin gjatë Luftës së Koresë 1950-1953, përbëjnë pjesë të një koleksioni të Muzeut Koreano Verior mbi masakrat dhe torturat Amerikane të Luftës. Ato besohet të jenë pregatitur kryesisht gjatë vitit 2005.

E vendosur në qytetin e Sinchon në provincën jugperëndimore të Hwanghaeit, muzeu përkujton atë që Peniani pretendon të jetë Masakra Sinchon, e cila thuhet se u ka marrë jetën më shumë se 35.000 njerëzve.

Masakra Sinchon, sipas versionit të Koresë së Veriut u krye në vitin 1950 kryesisht nga forcat e Koresë së Jugut me bashkëpunimin aktiv të ushtrisë Amerikane. Mizoritë thuhet se zgjatën rreth 52 ditë dhe një e katërta e popullsisë së qytetit u la e vdekur. Sipas disa raporteve, Forca Ajrore Amerikane në zonë gjithashtu përdorën armë të ndaluara bakteriologjike


Imazhet e paraqitura në muzeun e qytetit i cili tani është kthyer në nje vend te shenjtë kombëtar dhe gur themeli i makinës propagandistike të Koresë së Veriut, tregojnë ushtarët amerikanë që marrin pjesë drejtpërdrejt në mizoritë e ndryshme kundër civilëve të Koresë së Veriut.

Në një foto, ushtarët amerikanë tregohen duke torturuar një grua të Koresë së Veriut duke i hequr dhëmbët me pincë ndërsa një tjetër i përshkruan ata duke djegur një njeri me një metal të nxehtë. Foto të tjera shqetësuese tregojnë se si ushtarakët e SHBA-së presin një kokë njeriu me sharrë, apo duke ngulur një gozhdë në kokën e një të burgosuri dhe duke djegur një burrë në një trung.

Imazhet e tmerrshme tregojnë gjithashtu se ushtarët amerikanë lenë një fëmijë të vdesë në një varr masiv, ndërsa varrosin civilët që sapo janë vrarë më parë. Një tjetër pamje tregon dikë duke mbajtur një armë mbi kokën e një vajze të vogël e cila sheh familjarët e saj të vrarë.
Pamje të mëtejshme tronditëse tregojnë forcat amerikane duke marrë fëmijët e Koresë së Veriut nga nënat e tyre dhe duke i cuar gratë dhe fëmijët e lidhur në një hendek në tokë me një qëllim për t’i varrosur ata të gjallë.

I themeluar në vitin 1958, muzeu që gjithashtu ekspozon sendet personale të atyre që thuhet se kanë rënë viktima në krimet e Masakrës së Sinçonit, vizitohet vazhdimisht nga udhëheqësit e Koresë së Veriut.

Kim Jongu së bashku me motrën e tij e vizitoi vendin në vitin 2014. Në atë kohë, thuhet se ai i denoncoi amerikanët si “kanibalë dhe vrasësa që kënaqen me therjet”.

Tensionet rreth Gadishullit Korean vazhdojnë të përshkallëzohen që nga fillimi i shtatorit pas testimeve bërthamore me raketa të Koresë së Veriut. Më herët të enjten, agjencia shtetërore e lajmeve KCNA e Koresë së Veriut njoftoi se pesë milionë njerëz janë bërë gati vullnetarë për tju bashkuar ushtrisë së Koresë së Veriut në luftë ndaj SHBA-së.

Lajmi erdhi pasi Kim Jong u zotua ta “zbutë” Presidentin e SHBA Donald Trump “me zjarr.
Një ditë më parë, Trump tha se SHBA është gati për ta goditur Korenë e Veriut me pasoja “shkatërruese” për vendin aziatik nëse është e nevojshme .
Më 19 shtator, në fjalimin e tij të parë në OKB Trump kërcënoi “me shkatërrim total” të Koresë së Veriut, një vend me 26 milionë njerëz. Ai më vonë gjithashtu tha se kreu i Koresë së Veriut “nuk do të jetë shumë gjatë vërdallë”.

Për të mos rënë prapa, edhe Peniani ka lëshuar deklarata po aq agresive. Më 25 shtator, ministri i jashtëm i Koresë së Veriut, Ri Yong-ho, akuzoi SHBA për “shpalljen e luftës” dhe tha se Koreja e Veriut tani ka “të drejtën për të rrëzuar bombarduesit e SHBA edhe kur ata nuk janë brenda kufirit hapësinor të vendit tonë”.

Ndërsa Pheniani dhe Uashingtoni po rrisin tensionet, Moska dhe Pekini po nxisin qetësinë. Rusia dhe Kina po bëjnë thirrje për zbatimin e të ashtuquajturës iniciativë e “ngrirjes së dyfishtë” që parashikon që Koreja e Veriut të pezullojë programin e saj bërthamor dhe raketor në këmbim që SHBA dhe Koreja e Jugut të braktisin manovrat e tyre ushtarake në rajon.
Megjithatë, ShBA vazhdon ta refuzojë këtë propozim.

Gazeta Impakt/burimi:rt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne